Rama: Lufta ndaj drogës, një sukses

16/09/2015 12:40

Kryeministri Edi Rama i ka quajtur jo vetëm sulme politike akuzat e opozitës për lidhje të politikës me trafikun e drogës, por prekje të interesave. “Janë miliarda që deri dje shkonin diku, sot nuk shkojnë më”, deklaroi shefi i qeverisë. Pa përmendur emra konkretë, Rama tha se me logjikën e tyre, opozita është kokë e këmbë e lidhur me industrinë e këtij aktiviteti kriminal.

“Ka një përputhje tragjike midis sasisë së rezultateve dhe sasisë së baltës. Sa më shumë vendet, policitë e ndryshme në të gjithë globin, drejtues të tyre janë përpjekur të luftojnë dhëmbë për dhëmbë me këtë industri kriminale, aq më shumë është rritur sasia e baltës nëpër media, nëpër Parlamente, pse? Të jetë thjesht politike? Ka plot rrugë të tjera për të bërë betejë politike? Nuk gjejmë ne dhe nuk ka asnjë qeveri në botë që të jetë e përsosur në pikën që opozitë do duhet çdo ditë të shpifë për të ndërtuar fabulën e vet. Ka plot. Kjo nuk është vetëm politike, sepse në shifrat e ekspozuara nga ky operacion flitet për rrënjë, hektarë, sasira droge, por ato përkthehen në euro. Janë miliarda që deri dje shkonin diku, sot nuk shkojnë më. Ky është një operacion që ka prekur interesa. Pse nuk kanë bërë asgjë për të reaguar dhe për të zhdukur këtë kancer. Në logjikën e tyer kanë qënë kokë e këmbë të lidhur me industrinë e këtij aktiviteti kriminal. Me logjikën e tyre kanë përfituar miliona e miliarda… Përtej konferencave, përtej pallateve të mbledhjeve dhe kongreseve, përtej mediave dhe ekraneve e gazetave, përtej gjuhëve dhe lapsave ka një popull që nuk ia ha qeni shkopin, siç themi ne. Unë i besoj shumë atij popullit, që është spektator i këtij teatri absurd ku policia lufton si kurrë më parë me krimin, me drogën, me korrupsionin dhe është e akuzuar si asnjëherë më parë , jo vetëm nga opozita por nga një sërë segmentesh të lidhura me njëra- tjetrën”, u shpreh kryeministri.

Sot kemi vetëm një detyrë, tha kryeministri Rama, “të mos dëgjojmë asnjë nga ata që përpiqen të hedhin baltë, duke goditur figurën morale të njeriut.

“Ne sot jemi në një moment shumë të rëndësishëm dhe kemi vetëm një detyrë, të mos dëgjojmë askënd asnjë nga ata që përpiqen të hedhin baltë dhe përpiqen të vendosin pengesa nga më të mëdhatë, duke përpjekur aty ku dhemb më shumë, tek cënimi i dinjitetit të njeriut,duke u përpjekur aty ku sulmi është më i rëndë, tek goditja e figurës morale të njeriut. Dhe duke u përpjekur aty ku gjithmonë kanë synuar kastat e korruptuara, jemi të gjithë njësoj, jemi të gjithë të lidhr me krimin, të zhytur në drogë. Sepse nëse fiton ky perceptim, gjithmonë fiton pala që ka më pak të drejtë, është e provuar historikisht, makinat e baltës për këtë janë ngritur. Duke pasur një eksperiencë të gjatë në këtë aspekt sa më shumë dëgjon aq më shumë lëndohesh dhe dekurajohesh. Një kriminel, një nga ata të cilët policia e rilindur e shtetit ka pasur kurajon t’i identifikojë në radhët e vetë dhe ti pakësojë në radhët e vet, një bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës që dekonspironte operacionet e policisë është bërë sot heroi i opozitës, i mediave, madje, dhe i kreut të shtetit së fundmi. Heroi që na kërkoka përgjigje, ndërkohë që ai është në kërkim, nuk paraqitet në prokurori dhe të përgjigjet njëherë për akuzat e ngritura mbi të. Por paraqitet për azil politik në një shtet tjetër, pasi ka thyer vendimin e gjykatës, të detyrimit të paraqitjes. Kaq mjafton për të kuptuar sa poshtë ka rënë ky pazar”, vijoi shefi i qeverisë.

E duke folur për baltosjen mbi punën e policisë së shtetit në trafikun kundër drogës, dhe procesin e dekriminalizimit, Rama e mbylli fjalimin e tij me këto fjalë: “Gjithçka sot u shfaq këtu dhe fatmirësisht mori vulën e dy partnerëve, dy ambasadorëve që u përfshin drejt për drejtë në emër të shteteve të tyre në këtë përpjekje, nuk besoj se ishin gënjeshtra dhe nuk besoj të fusin ambasadorin amerikan tek ligji për dekriminalizmin”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA