Hotolisht, mësuesit rikthehen në punë. Nikolla anulon largimin, PD: E bënë politikanët

16/09/2015 08:20

Pasi u shkarkuan apo transferuan nga vendet e tyre të punës, mësuesit e Hotolishtit janë rikthyer në detyrë me urdhër të ministres së Arsimit, Nikolla. Kjo ndodhi pas një inspektimi të bërë një ditë më parë për procedurë, ndjekur nga drejtuesit lokalë të arsimit në Librazhd. Ministrja Nikolla shkoi vetë në shkollën e fshatit Hotolisht.

“Unë i dëgjova dhe ata vijojnë punën në detyra të reja, jo vetëm për t’i thënë jo dhunës në të gjitha format që ajo vjen, por edhe për të ndjerë një lloj tjetër aktivizmi krejtësisht tjetër të kësaj shkolle, në kuptimin e një shkolle të re me aktivitete”, u shpreh ministrja Nikolla.

Mësuesit e Hotolishtit u takuan edhe me deputetin demokrat, Luçiano Boçi, i cili bëri përgjegjës politikanët që kanë urdhëruar këto lëvizje.

“Shqetësimi ynë kryesor është që i gjithë ky veprim ka sfond politik. Një veprim i frymëzuar nga deputeti i zonës, i cili u ka vënë vulën të gjitha këtyre lëvizjeve”, deklaroi deputeti i PD-së, Luçiano Boçi.

Ministrja dhe deputeti replikuan në distancë për kontratat kolektive të punës për mësuesit.

“Në të gjithë Shqipërinë, në të gjitha rrethet, ne kemi sinjale që ka lëvizje dhe transferime joligjore. Rëndohet situata, sepse mësuesit janë të zhveshur nga ajo që i mbron, nga kontrata kolektive e punës”, ka thënë Boçi më tej.

“Sa i përket kontratës kolektive të mësuesve jemi në proces negociimi”, u shpreh ministrja Nikolla.

Edhe pse sot nisën punën, mësuesit e shkollës së Hotolishtit ende ndihen të çorientuar përballë një situate, kur brenda dy ditëve u shkarkuan dhe riemëruan në punë.

Top Channel