“Antidroga, një histori suksesi”, Tahiri: Ja shifrat e aksionit

16/09/2015 11:55

“Antidroga, një histori suksesi”. Me këtë moto Policia e Shtetit, në prani të ministrit të Brendshëm, kryeministrit Edi Rama dhe ambasadorëve të huaj, publikoi rezultatet e aksionit mbarëkombëtar kundër lëndëve narkotike.

Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri tha se koha kur pushteti bënte sehir, ndërkohë që droga lulëzonte është e largët.

“Unë mendoj që është lajm më i mirë kur shkatërrohet drogë, sesa lajmi kur droga ujitej me autobotet e zjarrfikëses. Ne kemi zgjedhur një tjetër rrrugë, për këtë janë statistikat e partnerëve tanë italianë dhe të Policisë së Shtetit që mund të verifikohen në çdo kohë”, tha Tahiri.

E pikërisht statistikave iu referua ministri i Brendshëm për të hedhur poshtë akuzat e javëve të fundit të opozitës, që e akuzojnë për përfshirje dhe lidhje me bandat e trafikut të drogës.

“Në vitin 2013, kur PD ishte në pushtet janë 323 hektarë hashash të identifikuara nga fotografimi ajror i Guardia di Finanza, nga këto u shkatërruan 7.5 përqind e parcelave. Në 2015, 44 hektarë janë identifikuar nga Guardia di Finanza, 8 herë më pak drogë sesa në vitin 2013. Nga kjo sipëfaqe policia ka shkatërruar 99.2 përqind të sipërfaqeve të identifikuaa. Që nga shtatori 2013, 94.7 përqind më shumë drogë sesa 8 vitet e qeverisë së kaluar mbledhur së bashku. Të gjitha këto nuk janë trillim. Edhe numri i autorëve të vendosur para ligjit është më i madh sesa numri i atyre në 8 vite të PD-së”, tha Tahiri.

Ministri i Brendshëm iu referua rastit të kapjes së drogës në një automjet të ambasadës shqiptare në Romë, kur Lulzim Basha ishte ministër i Jashtëm, për të ilustruar dallimet mes dy kohëve, sipas tij, asaj kur trafiku bëhej me automjetet zyrtare dhe sot kur Policia e Shtetit është e angazhuar në një operacion pakthim kundër lëndëve narkotike.

Disa ditë më parë, Basha publikoi në rrjetet sociale një fotografi të parcelave me hashash në fshatin Gusman, fshatin e prejardhjes së familjes së Tahirit. Ai akuzonte se droga lulëzonte në këtë fshat me bekimin e ministrit të Brendshëm.

Ministri Tahiri riktheu në vëmendje reagimin e publikuar pak orë pas akuzës së Bashës, kur deklaroi se kryetari i opozitës po manipulonte fotografitë e Policisë së Shtetit të shkrepura gjatë aksionit të asgjësimit.

“Kryetari i PD kishte manipuluar fotografinë e Policisë në aksionin e asgjësimit të drogës. Si mund të katandiset numri një i opozitës në këtë gjendje, duke manipuluar fotografinë nga një aksion antidroge i Policisë së Shtetit?”, tha Tahiri.

Pas ministrit të Brendshëm fjalën e mori Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, i cili gjeti rastin të nderojë efektivin Ibrahim Basha, që ra në krye të detyrës gjatë një operacioni në Lazarat.

Më pas fjalën e rastit e mori ambasadori italian, Massimo Gaiani. Ai vlerësoi bashkëpunimin mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane në luftën kundër narkotrafikut dhe shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ambasadori italian kërkoi që aksionet antidrogë të shoqërohen me reforma që mbajnë shoqërinë larg aktiviteteve kriminale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA