Sa e bukur është një garë e barabartë!

15/09/2015 00:00

Nga Mustafa Nano – Kreu i laburistëve në Britaninë e Madhe u zgjodh Jeremy Corbyn, një 66-vjeçar që tre muaj më parë, kur iu fut garës për t’u bërë i pari i laburistëve, as që llogaritej si kandidat serioz. Në fakt, nuk kishin arsye që ta përfillnin, pasi ai, ndonëse kishte qenë deputet prej më shumë se 30 vitesh, nuk ishte shfaqur kurrë si protagonist, nuk ishte ngjitur kurrë në skenën e politikës nacionale e nuk ishte shndërruar ndonjëherë në një news për mediat britanike.

Sigurisht, kish qenë aktiv në jetën parlamentare, ku kish mbrojtur me pasion ide e kauza të tijat, që shpeshherë nuk rezononin as me Partinë Laburiste, por kjo u binte në sy të paktëve. Dhe atyre që u binte në sy, Corbyn-i u dukej si një relike muzeore.

Ishte koha kur ishte në modë, dhe në pushtet, fillimisht Thatcher-ismi e më pas Blair-ismi, që mbronte idenë se të majtët duhej t’i dorëzoheshin kapitalizmit, se ata duhej t’i besonin magjisë së tregut të lirë, se ata duhej të hiqnin dorë prej politikave tradicionale të shpenzimeve të mëdha, të taksave të larta, të zgjerimit të sektorit publik, se ata duhej të bëheshin aleatë të biznesit, se ata, nëse donin të merrnin në dorë frenat e drejtimit të vendit, duhej të afroheshin drejt qendrës, e kështu me radhë.

E në këto rrethana, nuk do mend që do shihej si allasoj, në mos si i dalë mendsh, një politikan si Jeremy Corbyn, marksist, antikapitalist, pacifist, republikan, anti Austerity, një politikan që u ka dhënë dorën fare pa të keq drejtuesve të Hamas-it, Hezbollah-ut, IRA-s, dhe këtë e ka bërë në kohën që këto organizata kanë qenë parë si terroriste prej opinionit publik, me idenë se paqja nuk mund të arrihet pa komunikuar me “palën tjetër”.

Gjatë fushatës pati kundër kolumnistët, gazetat, televizionet, e plot drejtues e deputetë laburistë, përfshirë Tony Blair-in e Gordon Brown-in (edhe këshilltari i Ramës, Alastair Campbell, u përpoq t’u binte borive të alarmit), të cilët njëzëri e kanë quajtur unelectable, d.m.th. një kandidat për kryeministër që nuk do të bëhej kurrë kryeministër.

Nuk është çudi që të kenë të drejtë. Duket pa gjasa që britanikët t’ia japin votat në shumicë një marksisti anti-monarkist që dëshiron ta nxjerrë vendin e tyre nga NATO, që dëshiron ta lërë Britaninë pa armë bërthamore, e që do të hapë dyert për refugjatët nga Lindja e Mesme. Por kjo është një çështje që do të dalë në plan të parë në vitin 2020, sidoqoftë. Deri atëherë nuk dihet se çfarë mund të ndodhë.

Në gjithë këtë histori nuk janë idetë e tij që më kanë bërë përshtypje. Si shqiptar që jam, vëmendjen ma ka marrë diçka tjetër, që ka të bëjë me garën në fjalë. Ka qenë një garë e barabartë në kuptimin më të perceptueshëm të fjalës. Sigurisht, pati ndonjë objeksion lidhur me masën e madhe të njerëzve që regjistroheshin për të votuar, e që nuk dihej se çfarë ishin e çfarë përfaqësonin (sipas statutit të partisë atje është mjaft të paguash nja pesë dollarë për të fituar të drejtën e votës në garën partiake), por kjo ishte një yçkël statutore, së cilës s’ke ç’i bën. Nuk ka statut të përsosur.

Me fjalë të tjera, nuk ka rregulla loje të përsosura, ashtu si – në një diskutim më të gjerë – nuk ka Kushtetutë të përsosur. E prandaj, limitet dhe xanxat statutore futen në preventiv qysh në krye të herës prej kandidatëve apo garuesve.

Gjëja që provonte se gara ishte e barabartë dhe pa “hile” ishte fakti që ndeshja u fitua nga ai që në ndeshje u fut pa asnjë pretendim dhe që i pati të gjithë kundër. E gjithë nomenklatura sunduese e partisë laburiste dhe i gjithë opinioni mainstream iu futën punës për të bindur zgjedhësit se të votoje për Corbyn-in ishte si të votoje për të lënë përjetësisht në pushtet konservatorët e për t’i vënë kazmën Partisë Laburiste (Tony Blair u shpreh në një moment se, nëse anëtarëve të partisë u thotë zemra se duhet të votojnë për Corbyn-in, atëherë do ishte mirë të bënin një transplant zemre), por të gjithë këta aktorë të rëndësishëm të politikës britanike, tok me zëra të rëndësishëm të shtypit e të medias, nuk kanë pasur asgjë në dorë përveç opinioneve që shprehnin.

 Madje, edhe pjesëmarrësit në garë ishin në të njëjtat pozita, ishin thjesht garues, ishin si atletët në një garë sportive, që kanë për detyrë të përgatiten për garën, ta bëjnë atë, dhe kaq. Çdo gjë tjetër nuk ka të bëjë me ta. Nuk është punë e tyre.

Dhe nuk kish arsye që garuesit të dyshonin e të kishin frikë se mos ndonjë “i paudhë”, apo ndonjë grup ndikimi apo interesi brenda partisë, e pilotonte procesin për qejf të vet. E vërteta është se procesin nuk e drejtonin/kontrollonin forumet e partisë, e as kryetari i partisë.

Ky i fundit (Ed Miliband), me të humbur zgjedhjet parlamentare, dha dorëheqjen, e për rrjedhojë, u zgjodh një kryetar ad interim, thënë shqip një kryetar për një copë herë, për të drejtuar partinë derisa të dilte kryetari i ri me një mandat të fortë sipas parimit “një anëtar, një votë”. Ky kryetar ad interim kish përgjegjësi të vetme administrimin e drejtë të procesit elektral.

Është pak a shumë si në SHBA, ku pjesëmarrësit në të ashtuquajturat Primaries nuk jetojnë asnjë çikë me merakun se mos ndonjë eksponent i rëndësishëm i partive atje bën ndërhyrje që vendosin për fatin e ndeshjes. As që bëhet fjalë për gjëra të tilla.

Madje, në këtë kuptim edhe garat brenda partisë republikane e demokratike në SHBA janë të Corbyn-izuara, me fjalë të tjera edhe atje janë duke e dominuar skenën kandidatët që nuk kanë lidhje me establishmentin, madje që janë kundër establishmentit. Donald Trump është duke e udhëhequr garën brenda republikanëve për inat të të gjithëve. Media dhe politika janë që të gjithë kundër tij, por Trump-it kjo gjë i është bërë “gjak e dhjamë”.

Pëlqimi i zgjedhësve republikanë për të rritet në përpjesëtim të zhdrejtë me refuzimin e kritikat që atij i bëhen qoftë në qarqet partiake, qoftë në ato mediatike e politike. Po kështu, po rritet ndikimi i kandidatëve të tjerë që nuk kanë lidhje me boss-ët politikë e ekonomikë të atjeshëm, si Ben Carson e Carly Fiorina për republikanët e Bernie Sanders për demokratët, të cilët po bëjnë të harrohen kanakarët e establishmentit, sidozot Jeb Bush e Hillary Clinton.

Kjo ndodh (përveç të tjerash), ngaqë gara është garë. Në SHBA nuk po bëjnë punë edhe ato që rëndom përcaktojnë gjithçka, d.m.th paratë e fondet e mbledhura për fushatë. Demokrati Bernie Sanders po shkëlqen pa pasur asnjë akses te burimi i parave të mëdha. Në fakt, ai e ka refuzuar këtë burim. Dhe përsëris: një nga arsyet pse ndodh kjo gjë është që gara është garë, dhe që askush nuk ka mundësi ta trukojë atë. Të vetmet që mund ta trukojnë rezultatin e garës janë rregullat e saj. Por rregullat janë rregulla. Pa to nuk mund të bëhet asnjë garë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA