Kukan dhe Fleckenstein: Ligji për dekriminalizimin të miratohet nga të gjitha palët

15/09/2015 20:00

Pas debatit në Komisionin e Jashtëm në Parlamentin Europian për zgjedhjet e 21 Qershorit në Shqipëri, dy eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein deklaruan se maxhoranca dhe opozita duhet të miratojnë një ligj për dekriminalizimin. Për Eduard Kukan, një deputet që qëllon me armë i kujton historitë me kauboj nga Perëndimi i Egër. 

Top Channel: Ka disa ndjekje të prokurorisë, përfshirë dhe arrestim të deputetëve socialistë. A i konsideroni ato pjesë të procesit për dekriminalizimin e politikës?

Knut Fleckenstein: Mendoj se është pjesë e kësaj, sigurisht. Por, ne kërkojmë një legjislacion në lidhje me këtë çështje, mënyrën se si Shqipëria do ta trajtojë këtë.

Top Channel: Si e komentoni z.Fleckenstein faktin se deri më tani bëhet fjalë vetëm për deputetë të PS-së nën akuzë?

Knut Fleckenstein: Nuk mund të komentoj mbi këtë sepse ç’mund të them?! Nëse janë vetëm këta të tre nga ky krah, kjo ndodh ose sepse janë vetëm këta, ose sepse ata të tjerët janë treguar më të zgjuar. Nuk e di.  Nuk jam as polic dhe as prokuror.

Top Channel: Po për ju, z. Kukan?

Eduard Kukan: Unë mund të them se fakti që janë arrestuar tre parlamentarë, reflekton nevojën për ta zgjidhur këtë çështje në mënyrë sistematike. Pajtohem me faktin se këto hapa janë në drejtimin e duhur, por siç e tha dhe kolegu im, neve na nevojitet legjislacioni, i cili duhet të miratohet nga të gjitha partitë politike. 
 
Top Channel: Por ju, z. Kukan, mbeteni të pakënaqur me çfarë është bërë deri më tani për dekriminalizimin në vend.

Eduard Kukan: Jo, se drafti është në Parlament dhe ndodhet aty prej një kohe të gjatë…

Top Channel: E disa deputetë janë të arrestuar…

Eduard Kukan: Po, por e dini çfarë, këto nuk janë hapa sistematike. Këto janë akte kriminale nga disa prej deputetëve. I fundit, zoti Prenga po qëllonte me armë. Ndonjëherë më duket se dëgjojmë histori me kauboj nga Perëndimi i Egër kur flasim për Shqipërinë. Të më ndjeni, më vjen keq, por kjo është vërtet e tmerrshme. 
 
Top Channel: Po përsa i takon reformës në drejtësi?

Eduard Kukan: Reforma e drejtësisë është njësoj e rëndësishme, mendoj. Sa më shpejtë të zbatohet, aq më shpejt do ecte Shqipëria përpara.

Knut Fleckenstein: Unë do të thoja se reforma e drejtësisë është edhe më e rëndësishme se sa dekriminalizimi. Kjo sepse nëse ju nuk keni gjyqtarë me të vërtetë të pavarur, atëherë nuk do të keni besimin e njerëzve tek shteti.

Top Channel: E në këtë kuadër, sa të rëndësishme janë ngjarjet e 21 Janarit (2011) që ju i përfshitë në raportin e fundit të PE-së mbi Shqipërinë?

Knut Fleckenstein: Ky duket si një shembull i mirë për nevojën reale të reformës në drejtësi. Nëse ju do të kishit më shumë besim tek gjyqtarët dhe prokurorët, ata do të punonin në një tjetër mënyrë, mendoj unë.

Eduard Kukan: Ju e dini se kjo është një çështje që nuk mund të harrohet dhe ajo duhet zgjidhur.
 
Top Channel: Për t’u kthyer në pyetjen e fundit. Ku duhet të përqëndrohet vendi, një muaj përpara publikimit të raportit vjetor të progresit?

Knut Fleckenstein: Mbi këto çështje që përmendëm. Reforma e drejtësisë, reforma e drejtësisë, dekriminalizimi dhe reforma e drejtësisë. Megjithëse problemet e shumta dhe 5 prioritetet, reforma e drejtësisë është më kryesorja dhe nëse nuk zgjidhet brenda muajit tjetër, atëherë kjo do të na linte tepër kohë derisa ne të flisnim sërish për datën e çeljes së negociatave.

Eduard Kukan: Siç e dini, raportet e progresit, zakonisht, shkruhen që në gusht. Sigurisht, qeveria bën disa gjëra dhe ato merren parasysh, por është mjaft vonë me të vërtetë dhe është e nevojshme që në 4 javët e mbetura, ata të përdorin këtë kohë në mënyrë efektive. Sërish them se është në interesin e Shqipërisë. Oh, Zot! Sa herë do duhet ta përsërisim që ju jeni vend kandidat dhe tani hapi i radhës është data për nisjen e negociatave.

Top Channel: Vërtet?

Eduard Kukan: Po, sigurisht. Ky është hapi formal i radhës, siç është vendosuar nga Këshilli i BE-së. Mirëpo, vendet anëtare kanë nevojë të shohin disa fakte konkrete. Në të kundërt, do të ishte e vështirë.    


Përgatiti:
Arta Tozaj

Top Channel