Dibër, tatimorët mbyllin dyqanet e tregtarëve të vegjël; nisin protestat

15/09/2015 10:05

Tatimorët e Dibrës kanë detyruar tregtarët e vegjël në pazarin e qytetit të mbyllin dyqanet e tyre e të dalin në rrugë për të protestuar kundër vendosjes së kasave fiskale.

Ata pretendojnë se kjo është një padrejtësi që i bëhet kësaj kategorie tregtarësh, duke pasur parasysh kushtet në të cilat ata tregtojnë mallrat e tyre, si dhe taksat e papërballueshme për t’u paguar.

Janë rreth 300 tregtarë të këtij qyteti që prej vitesh ushtrojnë aktivitetin e tyre në pazarin e Peshkopisë, e që përveç taksave dhe qirasë që duhet t’i paguajnë pronarit të tokës janë urdhëruar këtë të martë nga tatimorët që të ndërpresin aktivitetin deri në vendosjen e kasave dhe regjistrimin e tyre sipas ligjeve në fuqi.

Më pas tregtarët kanë trokitur në dyert e Bashkisë së Peshkopisë për të kërkuar një zgjidhje të problemit, ku disa prej tyre janë pritur nga kryetari Shukri Xhelili.

Nga ana e tij Xhelili ka vlerësuar se, nga pikëpamja ligjore aktiviteti i tregtarëve është i paligjshëm, por ka nënvizuar se palët kanë rënë dakord që ata të regjistrohen si tregtarë ambulantë, gjë që duhet të ndodhë me miratimin e tatimorëve.

Por në dyert e bashkisë janë dëgjuar zëra që kanë kundërshtuar kategorikisht çdo lloj kompromisi, duke kërcënuar me hyrjen në grevë së bashku me fëmijët e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA