Si mund të jetë një gjyshe “liberale”

14/09/2015 00:00

Hajrie Maci është gjyshja 81-vjeçare, e cila i pret padurimshëm fundjavat. Një kafe dhe bisedat e këndshme me vajzën e saj, Flutura, dhe dy mbesat janë një shlodhje e mirë për të.

E teksa Virxhinia e Tea i rrëfehen gjyshe Hajries, se çfarë kanë bërë në javën që lanë pas, nga ana tjetër nuk ngurrojnë të marrin edhe këshillat e Hajries, e cila – e sprovuar nga jeta – i bën jo rrallëherë dy mbesat e saj të qeshin me idetë liberale, e herë të tjera të reflektojnë.

Por, teksa konsumojnë një kafe nën ngrohtësinë e bisedave të sinqerta, nis edhe momenti i frymëzimit nga Flutura, e cila është piktore dhe tejet nostalgjike për të fiksuar nëpërmjet një skice dy vajzat e saj.

Për këto të fundit, kjo në fakt është një terapi, që thyen herë pas here akullin, për ta bërë pak të këndshme situatën, ose për t’i bërë vajzat të flasin kur janë të mërzitura.

Është një nga ato marrëdhënie për t’u pasur zili, e natyrshme dhe deri diku artistike, ku të gjitha femrat e familjes mendojnë se komunikimi në marrëdhënien e tyre është çelësi i suksesit. Një shëtitje buzë liqenit është gjithnjë pjesë e pasditeve, ku këshillat sërish nuk mungojnë.

Top Channel