Librazhd, bojkotohet mësimi në Hotolisht; mësuesit në protestë

14/09/2015 11:10

Ky vit i ri shkollor ka nisur me protestë në shkollën e mesme të bashkuar të fshatit Hotolisht, në Librazhd. I gjithë stafi pedagogjik i kësaj shkolle është transferuar apo larguar nga puna me një njoftim të bërë dy ditë më parë.

Edhe pse ishin paraqitur në detyrë që në dhjetëditëshin e fundit të gushtit për t’u përgatitur për fillimin e shkollës, këta mësues janë lajmëruar dy ditë më parë për vendimin e Zyrës Arsimore Rajonale. Protesta e mësuesve është mbështetur edhe nga nxënësit dhe prindërit.

Ndërsa kryetari i Sindikatës së Pavarur të Shqipërisë, Nevruz Kaptelli ka vënë në dukje se në rrethin e Librazhdit janë transferuar rreth 300 mësues, ndërkohë që 50 të tjerë janë pushuar.

Kaptelli ka deklaruar se situata për largimet e mësuesve nga puna paraqitet më problematike në Librazhd e Devoll.

I paqartë ka qenë ndërkohë reagimi i drejtoreshës së Arsimit në Librazhd, Fatbardha Qatja, e cila largimin e mësuesve e ka cilësuar si të drejtë për shkak të ankesës së prindërve dhe vërejtve të rasteve të dhunës.

Ajo është shprehur se në fokus të Drejtorisë Arsimore të Librazhdit do të jenë nxënësit dhe cilësia e mësimit dhe jo interesat e mësuesve.

Por zonja Qatja nuk ka dhënë sqaraime nëse shfaqjet e dhunës në këtë shkollë përfshinin të gjithë kolektivin, apo mbi mundësinë që këta mësues të jenë të dhunshëm edhe në shkollat e tjera ku janë transferuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA