Strukturat paralele në veri, kryetarët ende me funksione të dyfishta

13/09/2015 13:00

Marrëveshja e 19 prillit 2013, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, nuk ka rezultuar me eliminimin e strukturave paralele në Veri të Kosovës. Kjo, sipas raportit “Qeverisja në 4 komunat e Veriut të Kosovës”, publikuar nga Instituti “GAP”.

Bekim Salihu, hulumtues në “GAP”, tha se kryetarët e komunave të Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit ushtrojnë funksione të dyfishta, si kryetarë të komunave që paguhen nga buxheti i Kosovës e në të njëjtën kohë kanë pranuar funksione nga Qeveria e Serbisë për të udhëhequr strukturat paralele.

“Serbia ka emëruar pikërisht këta kryetarë komunash edhe si udhëheqës të strukturave paralele. Vetëm në Mitrovicën e Veriut nuk e ka bërë këtë, sepse nuk është emëruar Goran Rakiç për udhëheqjen e strukturave paralele, por nga Serbia është emëruar një tjetër person, Aleksandër Spiriç. Ndërkaq, Goran Rakiç, si kryetar komune, ka emëruar Aleksandër Spiriçin nënkryetar të tij. Pra, vetëm dy vite pas mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, Serbia ka bërë një ndërhyrje flagrante në Veri të Kosovës, duke emëruar personat e zgjedhur nga proceset zgjedhore të Kosovës edhe për udhëheqjen e strukturave paralele”, tha Bekim Salihu, hulumtues në “GAP”.

Salihu theksoi se, komunat paralele në veri të Kosovës quhen “Organe të përkohshme administrative” dhe nxjerrin vendime për sektorin e arsimit, administratës, shëndetësisë, urbanizimit, shërbimeve publike, sportit dhe kulturës.

Sa i përket Zyrës Administrative të Mitrovicës së Veriut, e cila është parashikuar të funksionojë deri në mbajtjen e zgjedhjeve në këtë komunë, bazuar në raport, 69 persona mbesin të punësuar dhe tërheqin pagë si shërbyes civilë, edhe pse kjo zyrë nuk ushtron asnjë funksion.

Sipas raportit të Institutit “GAP”, komunat në veri kanë në dispozicion 10.8 milionë euro për vitin 2015 nga buxheti i Republikës së Kosovës, prej të cilave mbi 6.2 milionë euro janë parashikuar të shpenzohen për paga.

Ndërsa, nga 1730 persona që marrin pagë nga buxheti i Kosovës, sipas raportit, për të njëjtën punë që kryejnë, pjesa më e madhe e tyre tërheqin pagë edhe nga Qeveria e Serbisë.

Përveç kësaj, Bekim Salihu tha se, për këto komuna është formuar edhe “Fondi zhvillimor për Veriun”, i cili mbushet kryesisht nga të ardhurat doganore në pikay 1 dhe 31. Sipas tij, nga janari 2014 deri në gjysmën e dytë të muajit korrik 2015, në ketë fond janë derdhur 6.5 milionë euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA