Paketa e Maleve, Rama pyet ChatGPT për ligjin: S’u krijon rrugë të re investitorëve të mëdhenj, por njerëzve që jetojnë mbi një truall Partia Demokratike ripërsëriti kërkesën për dorëheqje të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe të ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri.
Nëkryetari i PD-së, Edmond Spaho, bashkoi në një deklaratë dy kërkesat e opozitës dhe sipas tij, dy zyrtarët e lartë të shtetit nuk gëzojnë legjitimitetin për të qëndruar në postet që mbajnë.
“Prej 10 ditësh, kryetari i Parlamentit dhe ministri i Brendshëm, dy funksionarë të rëndësishëm të shtetit janë pa legjitimitet dhe vazhdojnë të ushtrojnë detyrën edhe pse në sytë e mbarë shqiptarëve janë të akuzuar njëri për marrje rryshfeti e tjetri për lidhje me bandat e trafikut të drogës”, tha Spaho.
Emri i Ilir Metës, sipas demokratëve, është përmendur për marrje ryshfeti nga avokatët e shtetit shqiptar në Arbitrazhin e Vjenës në procesin gjyqësor me kompaninë CEZ, ndërsa kërkesën për dorëheqje të Sajmir Tahirit e legjitimojnë me deklaratat e një ish-oficeri të lartë të antidrogës.
“Ky vend dhe qytetarët e tij nuk mund të mbajnë në kurriz dy funksionarë të lartë të shtetit, nën të tilla akuza, ndaj Partia Demokratike, përsërit kërkesën për dorëheqjen e menjëhershme të Ilir Metës dhe vendosjen e tij në dispozicion të një hetimi të plotë dhe të besueshëm për akuzat e bëra publike”, deklaroi Spaho.
Opozita thotë se largimi, si i Ilir Metës ashtu edhe i Sajmir Tahirit është parakusht për t’i hapur rrugë hetimit në të kundërt, demokratët paralajmërojnë protesta për rrëzimin e atij që e quajnë “regjim i krimit dhe korrupsionit”.
Top Channel