PD: OSHEE, 5 mld lekë për mikun dhe klientin e Edi Ramës

11/09/2015 00:00

Demokratët e shohin si aferë korruptive tenderin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për ndërtimin e një objekti të ri, që do të jenë zyrat e reja të kësaj kompanie.

Opozita thotë se nisma për zyra të reja të OSHE-së, po bëhet me qëllimin që ndërtimi në vlerën e 5 milionë dollarëve t’i jepet një klienti, sipas saj, të Edi Ramës, që demokratët shprehen se ka qenë i tillë edhe kur kryeministri i sotëm ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, por që selia blu, ashtu si edhe në raste të denoncimeve të tjera, nuk i përmend emrin.

“Pas pak orësh, sipas porosisë së Edi Ramës, OSHEE do hapë zarfat për të shpërblyer me 5 milionë dollarë një mik e klient të vjetër të kryeministrit me të cilin ai ka marrje e dhënie që në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës. Masha që përdoret në këtë rast, është OSHEE-ja dhe paratë që do jepen për ndërtuesin e Edi Ramës janë marrë me kërbaç, me dhunë e me burg, me jetë njerëzish, nga shqiptarët e varfër e të pamundur. Paratë e gjakut të shqiptarëve, janë paketuar, janë bërë gati, pra plot 5 miliardë lekë, për t’iu dhënë sot mikut e klientit të Edi Ramës”, tha në një konferencë për mediat, zëdhënësja e PD-së, Oriela Nebijaj.

Demokratët i kanë kërkuar OSHEE-së që të japë sqarime për tenderin, kriteret e vendosura për të, duke hedhur dyshimin se ato janë paracaktuar të tilla për t’u fituar, sipas tyre, nga ai që e quajnë klienti i Edi Ramës.

Operatori i Shpërndarjes, përmes një komunikate për mediat, hodhi poshtë akuzat e demokratëve duke siguruar se tenderi është elektronik dhe i tillë do të jetë deri në shpalljen e fituesit.

Top Channel