Jahjaga në Berat: Anëtarësimi në UNESCO rrit përgjegjësitë

11/09/2015 19:10

Gjatë vizitës së saj në Shqipëri, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është ndalur në qytetin e Beratit, pjesë e trashëgimisë së mbrojtur nga UNESCO, organizatë ku synon të anëtarësohet edhe Kosova.

E shoqëruar nga stafi i saj, fillimisht zonja Jahjaga është ndalur tek Muzeu Kombëtar i Onufrit, ku është pritur nga kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj dhe një specialist i muzeut.

Në fjalën e saj pasi ka vizituar ambjentet e muzeut, Jahjaga ka nënvizuar se, përfshirja eventuale në UNESCO do të rrisë përgjegjësitë e shtetit të Kosovës, pasi do t’i duhet të kujdeset për monumentet e kulturës.

“Unë gjithmonë i kam adhuruar bukuritë e jashtëzakonshme që ofron Shqipëria, por ardhja këtu në muze ka qenë një përvojë e veçantë për mua dhe delegacionin tim. ky muze të kthen mbrapa në kohë dhe për këtë unë përgëzoj qytetarët e Beratit që e kanë ruajtur këtë trashëgimi kulturore dhe e kanë përcjellë nga gjenerata në gjeneratë”, ka deklaruar Jahjaga.

Sa i takon Kosovës, ajo ka thënë se, “përveç se një privilegj, anëtarësimi në UNESCO përbën edhe një përgjegjësi, pasi vlerat duhet të ruhen sipas standardeve”.

Top Channel