Kryetari i bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Kosovë, Ekrem Hoxha ka sqaruar mënyrën e zbatimit të marrëveshjes për telekomukacionin mes Kosovës dhe Serbisë.
Kreu i ARKEP-it tha se, Kosova do të lejojë operimin e përkohshëm të operatorëve të Serbisë brenda territorit kosovar, por sipas ligjeve të Kosovës.
“Marrëveshja parashikon që një ndërmarrje e re, e themeluar sipas ligjeve dhe kornizës rregullatore në Republikën e Kosovës, duke i respektuar të gjitha këto detyrime, do të parashtrojë aplikimin pranë organeve kompetente. Në këtë rast, fillimisht duke kryer regjistrimin pranë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrisë së Financave. Pas kompletimit të këtyre procedurave, duke respektuar sërish ligjet e kornizën rregullatore, mund të vijë te Rregullatori dhe të parashtrojë aplikimin për telefoni fikse dhe një autorizim të përkohshëm, apo lejim të përkohshëm, për operime në veri, në infrastrukturën ekzistuese që ka pasur operatori i dikurshëm ilegal atje”, tha Ekrem Hoxha, kryetar i ARKEP.
Hoxha ka sqaruar se, me marrëveshjen e Brukselit, operatori serb do të operojë në Kosovë në këtë formë deri në 2017-n, kur pritet të hapet edhe tenderi ndërkombëtar për operatorin e tretë të telefonisë celulare në Kosovë. Ai shtoi se, operatori serb mund të konkurrojë në tenderin e hapur dhe, nëse fiton vazhdon punën, ndërsa nëse dikush tjetër e fiton tenderin, atëherë ai operator duhet të shuhet.
“Ajo që është me rëndësi, ështe se ndërmarrja e re, që themelohet sipas ligjeve të Kosovës, nuk prodhon apo nuk krijon asnjë predispozitë favorizuese, apo ndonjë element, i cili e paragjykon rezultatin e garës. Në qoftë se e fiton garën, natyrisht konform kushteve, atëherë ai fiton edhe atributin e operatorit të tretë të shtetit. Në qoftë se e humb garën, apo edhe nuk bëhet fare pjesëe procesit, atëherë në momentin kur lëshohet autorizimi për fituesin e garës, ky lejim i përkohshëm pushon së ekzistuari. Kjo nënkupton, që ajo infrastrukturë do të largohet nga terreni dhe të mos vazhdojë së funksionuari. Këtë e parashikon në mënyrë taksative marrëveshja, por edhe ligjet dhe rregulloret e vendit tonë”, tha Ekrem Hoxha, kryetar i ARKEP.
Hoxha bëri gjithashtu të ditur se, me marrëveshjen e Brukselit, operatori serb që do të funksionojë tashmënë Kosovë, sipas ligjeve kosovare, do të paguajë të gjitha taksat dhe tatimet ndaj shtetit të Kosovës.
Top Channel