Rreth 20 vajza të Kosovës janë të përfshira në luftën e ISIS-it, por që trajtohen si viktima, për shkak se i janë nënshtruar presionit për t’iu bashkuar asaj lufte.
Kështu tha Florim Shatrolli, nga grupi i Antiterrorizmit në Policinë e Kosovës, gjatë një tryeze të organizuar në kalanë e qytetit të Vushtrrisë, mbi rolin e gruas në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë.
Kryetari i degës së Bashkësisë Islame në Vushtrri, Shemsi Rrahimi tha se roli i nënës është jetik, në luftimin e parandalimit të ekstremizmit, ndërsa lufta në Siri – sipas tij, – nuk ka asnjë lidhje me Islamin.
“Nënat tona të paarsimuara na kanë edukuar më lehtë neve, se ç’ndodh tani me bashkëshortet tona, që kanë mbaruar shkolla, fakultete, magjistratura, doktoratura. Por, ndoshta nënat nuk janë fajtore përse fëmija nuk e dëgjon, sepse në të kaluarën nënat na kanë pasur më lehtë nën mbikëqyrje. Sot fëmijën e ke në dhomë, por në një monitor ‘10 me 10’ flet me këdo në botë dhe t’i nuk e sheh. Më problem është mbikëqyrja, se mund të komunikojë me një organizatë terroriste, me një grup mafioz dhe ajo është në dhomë e nuk e kupton çfarë bën fëmija. Duhet t’i kuptojmë rrethanat, që tani janë më të vështira, por megjithatë nënat duhet të kenë më shumë kujdes”, tha Shemsi Rrahimi, kryetar i Bashkësisë Islame, Vushtrri.
Zëvendësdrejtoresha rajonale e Policisë në rajonin e Mitrovicës, Afërdita Mekofci tha se, faktor kryesor që të rinjtë marrin rrugën drejt Sirisë është gjendja e rënduar ekonomike që ata kanë.
“Faktor kryesor, fatkeqësisht është gjendja ekonomike. Kur flasim për gjendjen ekonomike, aty nënkuptohet edhe pamundësia e shkollimit dhe arsimimit. Në momentin që nuk kemi mundësi t’i ndërgjegjësojmë përmes kurseve të ndryshme, shkollimit të mesëm e të lartë universitar, apo edhe përmes organizimit të konferencave e debateve të ndryshme, atëherë jemi duke arritur te rezultati që ka qenë, e fatmirësisht besojmë se është në rënie”, tha Afërdita Mekofci, zv.drejtoreshë e Policisë për Rajonin e Mitrovicës.
Disa të rinj të pranishëm në këtë tryezë dhe përfaqësues të shoqërisë civile fajësuan qeverinë e Kosovës, që sipas tyre ka bërë shumë pak në përmirësimin e kushteve arsimore për të rinjtë dhe për punësimin e tyre.
Top Channel