Afera e CEZ-it, Berisha akuzon Metën; Braçe: Dëmin vendit ia shkaktove ti

10/09/2015 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha, deklaroi në Parlament se Ilir Meta, në funksionin e ministrit të Jashtëm nuk ka patur kompetenca të negociojë me CEZ-n.

“Deklaroj këtu me përgjegjësi të plotë se, Ilir Meta si ministër i Jashtëm nuk ka patur asnjë tagër, asnjë detyrë për të negociuar me CEZ-in për asnjëlloj problemi të kësaj toke. Cilat janë arsyet që e kanë shtyrë Ilir Metën të takojë në Pragë Hasekun? Të negociojë për Kastriot Ismailjan? Këto duhet t’i shpjegojë ai, ndaj ne kemi kërkuar dorëheqjen që të shpjegojë gjithçka për këtë çështje.

Kaq ishte deklarata e ish-kryeministrit për ish-aleatin Ilir Meta për çështjen e ngritur ndaj tij në media, ku është akuzuar se ka ndërhyrë për favorizimin e një kompanie që punonte për llogari të CEZ-it.

Pjesa tjetër e një fjalimi tejet të gjatë të Berishës për çështjen e kompanisë çeke, ishte sqarimi i pozicionit të qeverisë së tij, që pavarësisht se e kishte kontraktuar vetë kompaninë çeke, ngriti sipas Berishës, padi në atë kohë ndaj saj për mospërmbushjen e detyrimeve, prej së cilës më pas u tërhoq, sipas tij, Edi Rama.

“A është ky korrupsioni më i madh në historinë e vendit? Jo! Nëse është i vërtetë, është një akt korruptiv i mirëfilltë. Më i madhi dhe më i tmerrshmi është ai që gjobiti shqiptarët me 1100 euro gjobë nga marrëveshja që bëri në prapaskenë Edi Rama, me të ndikuar ose jo, nga Stefan Fyle, i biri i të cilit ishte eksponent kryesor i CEZ-it”, deklaroi ish-kryeministri Berisha.

Por, Erjon Braçe deklaroi se dëmin më të madh financiar vendit, ia bëri pikërisht vendimi i Berishes për privatizimin për llogari të CEZ-it.

“Ka dy çështje që janë ngritur gjatë gjithë kësaj periudhe për diskutim. së pari është afera e këtyre kompanive që do të mblidhnin borxhet e këqija të kompanisë CEZ, me vendimmarrje të Entit të Energjisë në favor të kompanisë CEZ dhe në dëm të kompanive të tjera publike, siç është KESH-it dhe më pas edhe OST-ja. Natyrisht, me një risk shumë të lartë fiskal, siç thotë në dokumenta ish-ministri i Financave të asaj periudhe, Ridvan Bode”, deklaroi deputeti socialist, Erjon Braçe.

Ajo që të dyja palët pranojnë, është dëmi miliona dollarësh që u është shkaktuar taksa-paguesve shqiptarë, para që janë përfituar nga kompania çeke. Por, ndërsa Sali Berisha kërkoi hetim ndërkombëtar për marrëveshjen e shkëputjes nga CEZ-i, socialistët kërkuan hetim të plotë, përfshirë vendime të qeverisë “Berisha”.

Sipas Erjon Braçes, që citoi edhe një letër të ish-ministrit të kohës, Ridvan Bode, qeveria Berisha mori një sërë vendimesh në dëm të KESH-it dhe OST-së, duke favorizuar CEZ-in.

“Mbi 220 milionë euro, favore të drejtpërdrejta qeverisë dhe po të huazoj logjikën e tij, i bie që ta akuzoj për një shumë të jashtëzakonshme parash të përfituara si ryshfet nga kjo histori”, deklaroi Braçe.

“Unë jam Sali Berisha, unë jam ky që jam 25 vjet rresht, për një fakt të thjeshtë se nuk i detyrohem kujt, cilitdo, burrë apo gruaje të ndershme në çdo funksion që të jetë, që të thotë se unë i detyrohem një qindarkë. Nuk ka grua të pandershme, nga prostitutë shtylle e deri tek nivelet më të larta që mund të më thotë që i detyrohem një qindarkë”, replikoi ish-kryeministri Berisha.

Top Channel