Me pranga në duar, deputeti Armando Prenga është paraqitur mesditën e së martës në Gjykatën e Lartë, për t’u njohur me masën e sigurisë, pas ngjarjes së ndodhur në orët e para të së shtunës në Laç, ku mbetën të plagosur 7 persona.
Pas një seance, që zgjati për gati 2 orë, Gjykata e Lartë ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për deputetin Armando Prenga, i cili akuzohet për “armëmbajtje pa leje”, “plagosje të rëndëe me dashje” dhe “kanosje”, pas përleshjes së armatosur në Laç të shtunën e kaluar.
Ndërkaq, pas përfundimit të seancës, avokati i tij është shprehur për mediat se, nuk mund ta paragjykojë gjykatën, por nuk justifikohet qëndrimi i klientit të tij në burg në bazë të provave.
“Duhej të ishte i lirë. Hetimi nuk është i drejtë, nuk është ligjor dhe është i njëanshëm”, tha avokati i Prengës, pas daljes nga gjykata.
Ndërkohë, më herët, Gjykata e Laçit dha masën e sigurisë “arrest me burg” për Gjergj Cali, i përfshirë në konfliktin e armatosur me ish-deputetin e PS-së.
Gjithashtu, trupi gjykues ka vendosur masën “arrest me burg” edhe për Gazmir Jushin. Ky i fundit nuk ka qenë i pranishëm në seancë, pasi ndodhet ende i shtruar në spital për shkak të plagëve të marra.
Top Channel