Shehu: Të rinjtë ta ndërtojnë të ardhmen në Dibër, jo në mërgim

06/09/2015 00:00

Kandidati për kryetar bashkie në Dibër, Sherefedin Shehu së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndoqën me të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së ndeshjen e kombëtares.

Zoti Shehu tha se së bashku me energjinë, mençurinë dhe vendosmërinë e të rinjve do të arrijnë që ta bëjnë Dibrën një qytet të zhvilluar, ku të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe jo të shohin emigrimin si shpresë.

“Ne duhet të krijojmë një Dibër të cilën e meritojmë. Një Dibër të pastër, një Dibër ku njerëzit të kenë ujë për të pirë. Një Dibër ku njerëzit të kenë ujë për vaditje. Një Dibër ku të gjithë të keni punë. Një Dibër ku shpirti i sipërmarrjes të krijojë vende pune për ju”, u tha Shehu të rinjve.

Ai u takua edhe me të përndjekurit, të cilëve u tha se do të kenë përfaqësuesin e tyre në Bashkinë e Dibrës, në mënyrë që të gjithë ata që kanë vuajtur nga regjimi komunist, përveç kryetarit të bashkisë të kenë edhe një derë tjetër ku të diskutojnë hallet dhe problemet e tyre.

Zoti Shehu zhvilloi takime edhe me banorë të fshatrave Brezhdan, Ushtelenxë, Trojak, Sllovë, Vlesh. Infrastruktura rrugore, sistemi i ujësjellësit dhe kanalizimet ishin prioritetet ku ai e vuri theksin.

Kandidati demokrat u tha banorëve se kthimi i administratës në shërbim të qytetarëve do të mundësojë përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.

Top Channel