PD transmeton denoncimin e ish-shefit të Antidrogës për ministrin Tahiri

06/09/2015 10:25

Partia Demokratike, mesditën e së dielës është shndërruar në një “televizion”, ku është shfaqur pjesa e dytë e intervistës së ish-shefit të Antidrogës së Vlorës dhe Fierit, Dritan Zagani.

Përpara mediave, deputeti Genc Pollo ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, pas publikimit të këtyre fakteve.

“Kjo është një dëshmi që provon atë që është thënë disa herë, prej muajsh, në mënyrë të përsëritur dhe me forcë nga Partia Demokratike. Prandaj PD dhe opozita kërkojnë pas kësaj dëshmie, me zë edhe më të fortë, që Saimir Tahiri të japë dorëheqjen si ministër i Brendshëm dhe t’i nënshtrohet hetimit penal”, u shpreh Genc Pollo.

Në intervistën e tij, Zagani përmend dy raste, ku – sipas tij, – të afërm të ministrit Tahiri janë identifikuar si të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.

“Kam besuar se këta janë shumë të fortë, pasi ishin lidhje farefisnore e zotit Saimir Tahiri, aktualisht ministër i Brendshëm. Kur isha shef i hetimit të kufirit, kisha një regjistër ku ishin të shënuar të gjitha mjetet lundruese që qarkullonin në bregdetin e Drejtorisë Rajonale, nga Saranda në Vlorë. Që në atë kohë kam pasur informacion për një mjet gomone jo shumë të madhe apo të fuqishme, që përdorej nga ish-deputeti i asaj kohe dhe ministër i sotshëm, Tahiri, të cilën e mirëmbanin dhe e përdornin këta 3 persona, vëllezër dhe kushërinj të tij në Vlorë: A.H., M.H. dhe L.H. Kontigjent i trafikut të drogës që kur unë punoja me Antidrogën në Vlorë, vite më parë”, thotë Zagani.

Në një rast tjetër, ai përmend se një trafikant i njohur në Vlorë ka hipur në një automjet në pronësi të ministrit Tahiri.

“Në një moment kur unë doja të verifikoja se me kë do të takohej në qytetin e Vlorës, kam parë një mjet Audi A8, i zi, me targa AA 003 GB, që erdhi te makina e subjektit A.D. Nga Audi nuk zbriti njeri, por subjekti A.D. zbriti nga mjeti i tij dhe hipi në Audi. Të nesërmen, në orën 8 e 30 në zyrë hapa sistemin TIMS për të verifikuar këtë targë. Më rezultoi në sistem se pronar ishte Saimir Tahiri, ministër i Brendshëm. Kur më doli emri i tij unë u shtanga, pa e hequr nga kërkimi, thërrita shefin e sektorit dhe e ftova në zyrën time t’ia tregoja. I thashë që isha duke verifikuar targën, me të cilën pashë subjektin në fjalë një ditë më parë. Ndërsa shefi i sektorit më pyeti, pse nuk e di ti? Ata janë kushërinj të ministrit në Vlorë”, vijoi më tej Zagani.

E në fund, deputeti Genc Pollo u ka drejtuar një thirrje për reagim edhe shoqatave të gazetarëve.

“Mbyllja e gojës së medias nga qeveria është një akt i rëndë. Është momenti, edhe si kryetar i Komisionit parlamentar të Medias, të bëj një apel për ato shoqata gazetarësh, federata mediash apo asociacione të ndryshme të kësaj fushe, që në qoftë se kanë heshtur në këtë drejtim, të ngrejnë zërin e tyre nga nesër e në vijim”, u shpreh deputeti demokrat Pollo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA