“Lutja e paqes 2015”, çelet në Tiranë manifestimi 3 ditor ndërkombëtar për paqen

06/09/2015 17:40

I prezantuar botërisht si vendi ku fetë ekzistojnë në harmoni ndërmjet tyre dhe njerëzit e besimeve janë miq me njëri-tjetrin, në Tiranë u inaugurua sot faltorja e paqes, ku të pranishëm ishin lider të feve kryesore nga mbarë bota, si dhe përfaqësues shtetesh.

Në fjalën e tij përshëndetëse, lexuar para të pranishmëve nga Ipeshkvi Matteo Zuppi, Papa Françesku theksoi përndjektjet që iu bënë njerëzve të feve në Shqipëri gjatë periudhës komuniste, simbol i bashkëjeteses paqësore mes besimeve të ndryshme fetare sipas Papës, pas një historie të gjatë vuajtjesh ku lista e gjatë e martirëve flet ende sot për atë kohë të errët sikurse edhe për forcën e besimit që nuk thyhet nga prepotenca e së keqes

Ndërsa, kryeministri Rama duke falendëruar të pranishmit që zgjodhën Shqipërinë për këtë takim, në fjalën e tij theksoi faktin se paqja është gjithmonë e mundur të ndodhë.

“Ashtu si kundër historia e këtij vendi të vogël na tregoi se Zotin, besimin në të, lutjet drejt tij, pavarësisht në çfarë rruge, pavarësisht në çfarë forme mund të gjenden forca që ta pengojnë për njëfarë kohe dhe për një kohë të gjatë, nuk ka forcë që e pengon përgjithmonë për të bërë dritë në shpirtin e njerëzve që duan paqe. Paqja është gjithmonë e mundshme nëse sipas shembullit që jep apostulli Pjetër në një nga letrat e tij ‘jemi gjithmonë të gatshëm, të përgatitur e të ndërgjegjshëm për të dhënë llogari për angazhimin dhe shpresën tonë në favor të dashurisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë’”, u shpreh kryeministri Rama.

Aktivitetet për lutjen e paqes filluan të dielën dhe do të zgjasin deri ditën e martë pasdite ku pritet të inaugurohet edhe parku i paqes, vend ku do të mbillet në mënyrë simbolike pemë ulliri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA