Mblidhet kryesia e PD, Basha: Planveprimi i opozitës, në 5 pika

05/09/2015 21:45

Kryesia e Partisë Demokratike është mbledhur mbrëmjen e së shtunës për të përcaktuar qëndrimet dhe propozimet që do të paraqesë për nxjerrjen e vendit nga “orët dramatike që po kalon”, pas konfliktit të armatosur ku u përfshi deputeti i PS, Armando Prenga.

Në një prononcim për mediat në përfundim të mbledhjes, kryetari Lulzim Basha ka bërë me dije se, reagimi i PD ndaj situatës së rënduar do të fokusohet në 5 pika.

“Kryesia miratoi me votë qëndrimet që opozita, PD, do të ndjekë duke nisur nga dita e nesërme, duke konfirmuar kërkesën për dorëheqjen e Ilir Metës dhe hetimin e menjehrshëm të tij për aferën korruptive më të madhe të tij; largimin e menjëhershëm të Saimir Tahirit dhe marrjen e tij si të pandehur në bazë të provave që do të publikohen nga PD, që e nxjerrin si koka e bandave të drogës; dhe aprovimin brenda shtatorit të ligjit për dekriminalizimin dhe largimin menjëherë nga Parlamenti, pushteti vendor dhe administrata të personave me rekorde kriminale”, ka deklaruar Basha.

Kreu i partisë më të madhe të opozitës ka theksuar se, PD është e vendosur t’i shkojë në fund kësaj beteje dhe në këtë drejtim ka mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

“I garantoj të gjithë se PD nuk do të bëhet pjesë e asnjë kulise që për një përfitim politik të bëhet pjesë e pazareve të ndyra. Ne do luftojmë për një politikë pa krimin, për zhvillimin e vendit, kthimin e besimit tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe ndëshkimin e autorëve të shkeljeve të standardeve; dhe së fundmi, por jo nga rëndësia, për një paketë emergjence për gjendjen ekonomike në vend dhe eksodin”, ka saktësuar Basha.

Duke nënvizuar se PD nuk do të tërhiqet nga këto qëndrime, Basha ka konfirmuar se në strategjinë e saj përfshihen edhe protestat kundër qeverisë.

Top Channel