Komandanti suprem i NATO-s për Europën, gjenerali Philip Breedlove vizitoi Kosovën. Në një konferencë të shkurtër për shtyp me komandantin e forcave të NATO-s në Kosovë, dy ushtarakët e lartë diskutuan për çështjet më të nxehta që shqetësojnë sot Kosovën.
I pyetur lidhur me rrezikun nga ISIS në Ballkan, gjenerali Breedlove tha se forcat e NATO-s mbetën syhapur përballë çdo lloj ndikimi ekstremist.
“Ne jemi të vetëdijshëm se ISIS është problemi më i madh në shumë pjesë të botës dhe jemi të vetëdijshëm se ka elemente të tyre qëm me siguri, janë edhe këtu të pranishme. Jemi të vetëdijshëm se ky vend ka një traditë të madhe të përqafimit të islamit modern. Ne jemi këtu të mbajmë një ambient të qetë dhe të sigurtë, mbështesim islamin modern, por ne do të mbetemi shumë syhapur për çfarëdo ndikimi nga organizata ekstremiste, qoftë islame, qoftë jo islame që mund të sjellin dhunë”, deklaroi Breedlove.
Ndërsa pyetjeve mbi kërkesat e serbëve që të kenë një batalion të veçantë në Forcat e Armatosura të Kosovës, i është përgjigjur komandanti i forcave të NATO-s në Kosovë, gjeneral major Guglielmo Luigi Miglietta.
“Sa i përket transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, siç e dini nuk është më një çështje e KFOR-it, është një çështje politike do të thotë nuk është në mandatin tonë që të mbështesim një gjë të tillë, për shkak se tani ne e mbështesim Forcën e Sigurisë së Kosovës”, u shpreh Luigi Miglietta.
Në anën tjetër, u diskutua edhe për të ardhmen e misionit të KFOR-it në Kosovë, por gjenerali Breedlove tha se forcat e NATO-s do të vazhdojnë të kryejnë misionin paqeruajtës, duke theksuar se nuk ka një datë se deri kur mund të zgjasë ky mision.
“KFOR-i është këtu për aq sa është e nevojshme dhe ne kemi një proces që është i bazuar në kushte ku ne bëjmë vlerësimin e kushteve në terren, çfarë përparimi është arritur në diskutimin politik, çfarë arritje është bërë lidhur me marrëveshjet politike dhe si kjo funksionon me kalimin e kohës. Dhe deri sa ne e shohim që më nuk ka nevojë që KFOR të jetë këtu për një ambient të qetë dhe të sigurtë. Do të thotë nuk ka një datë të caktuar se kur ne do ta përmbyllim misionin”, vazhdoi gjenerali Breedlove.
Komandanti suprem i NATO-s për Europë, gjenerali Breedlove ka vizituar Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, ambasadorët e vendeve të Kuintit, njësitet e KFOR-it në kampin “Sparta” dhe Manastirin ortodoks të Deçanit.
Top Channel