Shqipëria dhe kriza e refugjatëve

25/08/2015 00:00

Nga Arbër Zaimi – Nuk ka ditë që të ndezësh televizorin e të mos përplasesh me pamjet e tmerrshme të kalvarit të refugjatëve nga Lindja e Mesme nëpër Ballkan apo me afrikanët që përpin Mesdheu mizor i shndërruar në një varrezë masive.

Vende të periferisë globale të rrëgjuara e të varfëruara për dekada, në mos shekuj me radhë nga ekonomia bastisëse ekstraktiviste e kolonializmit dhe e neokolonializmit, popuj të mpirë e të tjetërsuar nga dhuna e regjimeve absolutiste e totalitare, njerëz të çnjerëzuar e të traumatizuar nga luftërat e pandalshme në vendet e tyre, që do u sillnin demokracinë, por që u sollën ISIS-in. Tani kanë marrë rrugët e eksodit, për t’i ikur brutalitetit fashist.

I takon Europës së vlerave, Europës solidare me zemër gjermane të zgjidhë çështjen e emigrantëve. Modele të ndryshme janë propozuar, që nga mbytja e anijeve që emigrantët të mos kenë më me çka të vijnë, e deri te forcimi i gardheve në Ceuta e Melila të Spanjës afrikane apo ndërtimi i mureve në Hungarinë orbaniste që i bën jehonë debatit intelektual dhe presidencial në Amerikën fanar të njerëzimit, ku shihet si ide gjeniale ajo e Arturo Ui-së për të ndërtuar një mur që të mbajë jashtë emigrantët amerikano-jugorë, të cilët s’janë gjë tjetër, pos përdhunues, vrasës, vjedhës e parazitë. Megjithatë ka edhe qasje më humane, si p.sh. propozimi i Sllovakisë që të priten vetëm refugjatë kristianë. Ndërkohë, Gjermania e fuqishme, anija flamurmbajtëse e flotës europiane, bën thirrje për solidaritet dhe u kërkon shteteve të tjera të ndihmojnë, sepse ajo nuk mundet ta përballojë e vetme fluksin e emigrantëve. Sa çudi të vjen. Ishim mësuar që solidaritetin ta kërkonte apo ta lypte vetëm ndonjë nga këto vendet e dobëta e të paafta të jugut që shtrijnë dorën ndaj Gjermanisë disiplinëmadhe. Po ja që edhe Gjermania e vendoska dorën në zemër dhe kërkoka përgjegjësi edhe nga vendet e tjera në këto momente të vështira. E mjera Gjermani, viktimë e refugjatëve.

Ndoshta ne nuk mund të bëjmë asgjë nga Shqipëria për të ndryshuar fatet e një bote në krizë, ku perspektiva e Danëlld Çrampit dhe e Marinë Lë Penit nuk tremb, por josh. Ndoshta nuk kemi zë e as vend të flasim për një Europë që ka si partner rajonal Viktor Orbanin haptazi fashist, një Europe që rehabiliton shovinistët Aleksandar Vuçiç dhe Ivica Daçiç apo që bashkëpunon me kryeministrat mafia-friendly e të stërkorruptuar Thaçi, Gruevski e Gjukanoviç, por që ka problem mjaft të madh Aleksi Cipras, që kërkon lehtësim ekonomik për vendin e vet të kalbur e të mallkuar prej dekadave në qeverisje të benjaminëve të po kësaj Europe. Nuk mund të mos bëhesh cinik kur e përjeton vetë një perëndim të tillë, që e stolis gjoksin e vet me dekoratat më të shkëlqyera të vlerave, por që s’ka turp t’i thotë “burrë shteti” një diktatoruci që sapo ka dhënë urdhër të vriten protestuesit përpara zyrës së tij. Pra, në betejën e zhvilluar në terrenin e vlerave kemi humbur. Fituesi dihet. Vae victis.

Por, pa i bërë moral askujt, do të ishte njerëzore që Shqipëria, duke pasur parasysh edhe historinë e vet të kahershme e bashkëkohore, me qeverisjet e saj qendrore e lokale, me shoqërinë civile e me qytetarinë e saj, të mblidhte sado pak që të mundet ndihma për refugjatët e dyndur në vendet fqinje Greqi, Maqedoni e në jug të Serbisë. Ndihma në formë të veshjeve, barnave e ushqimeve p.sh. Jo se do t’i shpëtonim refugjatët nga tragjedia me këto ndihma, por do të shpëtonim veten tonë faqe nesh. Do t’ia mbushnim mendjen vetes se njerëzia ndër ne nuk ka vdekur.

Reagimi i parë që merret nga disa njerëz kur shtrohet për diskutim ndihma për refugjatët dhe emigrantët në vendet fqinje është “ne jemi për vete vend prej nga po mërgohet, s’i kemi terezitë ne për të ndihmuar të tjerët”. Në plan të parë një reagim i tillë duket si pragmatik, “të mbarojmë një herë problemet tona, pastaj të merremi me të tjerët”. Por kjo qasje është thjesht falsitet përjashtimor, një farë singularizmi individualist, që na bën të shohim veten si të shkëputur prej të tjerëve, si të veçantë, si specialë në vuajtjet e mizerjet tona. Nëse është e vërtetë që njerëzit apo popujt duhet të mbarojnë një herë së zgjidhuri hallet e tyre e pastaj të merren me të tjerët, atëherë me hallet tona nuk duhet të ishte marrë askush e të na kishin lënë të vlonim në ujin tonë, pasi askujt nuk i kanë mbaruar ndonjëherë hallet. E megjithatë jo rrallë e kemi përjetuar ndihmën e të tjerëve si komb, qoftë në vendet ku jetojmë, qoftë në rravgimet e pambarimta të mërgimtarëve. Dikush mund të thotë se më shumë na kanë dëmtuar se sa na kanë ndihmuar, por kjo nëse është e vërtetë s’do të thotë gjë tjetër përveçse që në ato momente të historisë njerëzia ka qenë në minorancë ndaj çnjerëzisë. Dhe ky është bilanc tjetër. Thirrja ime është për njerëzi.

Së dyti, ata që thonë se “ne jemi keq për vete” në të njëjtën kohë janë duke pohuar se i varfri nuk e ka luksin të jetë njeri në periudhën kur njerëzia është barazuar rrejshmërisht me filantropinë dhe humanizmin e miliarderëve e kur bamirësia është “profesionalizuar” e institucionalizuar në organizata fetare e OJQ-ra. Pra pohojnë se në rendin e arsyes dominante, ngé për bamirësi ne që s’jemi asgjë tjetër veçse individë të thjeshtë nga periferia e globit, s’kemi. Por, siç shtjellohen faktet dhe pavarësisht ideologjisë, solidariteti më i shpeshtë njerëzor e filantropia më voluminoze në glob ka pikërisht formën e ndarjes së krodhës së bukës mes njerëzve të varfër – paçka se jehonën mediatike më të madhe sigurisht që e merr bamirësia e atyre që i zotërojnë mediat. Ne kemi përjetuar e përjetojmë vazhdimisht kriza të mëdha të brendshme e të jashtme, të cilat kanë pasur edhe dimensione mërgimi – dhe jemi ndier mirë kur kanë ardhur vullnetarë e ndihma. Imagjinoj se mirë do të jenë ndier edhe ata mërgimtarë që atje ku kanë shkuar kanë hasur në ndonjë njeri a familje të mirë që i ka ndihmuar pa bujë në ditët e para, e të tillë ka me mijëra.

E të mos harrojmë pastaj se si mërgimtari shpesh e ka për ndihmë dhe vetë mërgimtarin – dhe pse dikush do të shtonte, jo gjithnjë. Le të ndalemi pak te kjo “jo gjithnjë”. Sipas filozofit italian Xh. Agamben, kampi i përqendrimit i nazistëve ka qenë ai vend ku banorët jetojnë jetën e zhveshur, jetë të padenjë për t’u jetuar, pra ku mund t’u merret jeta dhe askush nuk bën krimin e vrasjes. Agamben thotë:

“Në qoftë kjo e vërtetë, pra nëse esenca e kampit qëndron te materializimi i gjendjes së jashtëzakonshme dhe në krijimin si rrjedhojë të një hapësire ku jeta e zhveshur dhe norma bëhen të padallueshme prej njëra-tjetrës, duhet të pranojmë se gjendemi përballë një kampi të përqendrimit gjithnjë, sa herë që krijohet një strukturë e tillë, pavarësisht entitetit dhe krimeve që kryhen në të, cilado qofshin emërtimet dhe topografitë specifike të asaj strukture. Pra ishte kamp përqendrimi edhe stadiumi i Barit, ku më 1991 policia italiane grumbulloi përkohësisht imigrantët klandestinë shqiptarë para se t’i ridërgonte në Shqipëri, po ashtu edhe velodromi i dimrit ku autoritetet e Vichy-së grumbulluan hebrejtë para se t’ua dorëzonin gjermanëve”.

Emigrantët e grumbulluar dhe të trajtuar si një “turmë primordiale”, ndaj të cilëve mund të ushtrohet çfarëdo dhune sovrane e prapë të mos jetë krim – jo rrallë e përjetojnë këtë eksperiencë të kampit të përqendrimit. I kemi parë dëshmitë edhe të shqiptarëve të 2015-s nga kampe të tilla në Hungari, Gjermani apo Francë. As që nuk duhet diskutuar se të tilla janë edhe përvojat e emigrantëve të grumbulluar jo shumë larg vendit tonë, në Gjevgjeli, në kufirin mes Greqisë e Maqedonisë apo në kufirin mes Maqedonisë dhe Serbisë, në Luginë të Preshevës.

Nëse marrim eponimin e këtyre kampeve moderne, pra kampin klasik ku gjermanët “kryenin detyrën” ndaj hebrejve, romëve, komunistëve, homoseksualëve dhe armiqve të regjimit – mund të lindë pyetja, si ka mundësi që në këto kampe u shfarosën aq lehtë 6 milionë hebrenj. Si ka mundësi që nuk ngritën krye, po shkuan heshturazi në natë? Sigurisht që kjo nuk është tërësisht e vërtetë dhe vazhdimisht ka pasur kryengritje e rezistencë nëpër kampe e jashtë tyre. Por, nga ana tjetër, e dimë nga dëshmitë e të mbijetuarve (në plan të parë i referohemi Primo Levit dhe Eli Vizelit) se një tjetër pasojë e mbylljes në kamp të përqendrimit mund të jetë humbja totale e njerëzisë, reduktimi në vektor me përqendrim të vetëm mbijetesën edhe një ditë tjetër. Kjo shpjegon fenomene brenda kampit, Kapon, zhdukjen e solidaritetit, dyshimin e të gjithëve te gjithkush, konkurrencën për krodhën e bukës, vjedhjen a hilenë, mungesën e ndjeshmërisë kur i ngjashmi të vdes para syve.

Kjo është e mundshme, por për sa kohë nuk mund të pranojmë se gjendemi në kushte të tilla, ne duhet të këmbëngulim në njerëzinë tonë dhe në prodhimin e një kulture e të një norme ku nëpër kampe emigrantët i ndihmojnë emigrantët, ku popujt e periferive i ndihmojnë popujt e periferive. Sigurisht, kjo normë vazhdimisht do të kishte dështimet e veta – dhe në botëkuptimin dominant kur një normë dështon duhet hequr norma. Por njerëzimi kurrë nuk e ka matur veten me atëçka është aktualisht, por me atëçka dëshiron të jetë, që reflektohet pikërisht në këto norma e standarde të larta.

E këtu ka vend edhe për një interpretim të tretë, që ndoshta i intereson Kryeministrit Edi Rama dhe klasës drejtuese “branding-oriented”. Ata që shqetësohen për pamundësinë tonë për të ndihmuar emigrantët dhe që e bëjnë thuajse të pamundshme njerëzinë tonë, është mirë të kuptojnë se edhe në konceptin dominant global, vende të qytetëruara konceptohen pikërisht ato që janë në gjendje të ofrojnë ndihmë. Kjo nënkupton pikërisht të ngrihesh në këmbë nga pozicioni i shtrirë dhe i zvarritur i viktimës së përjetshme, që ka në plan të rrojë veç me lëmoshë. Vende fqinje në këtë rajon kanë mundur të rregullojnë imazhin e tyre edhe pas masakrave të mëdha, pikërisht duke u treguar të qytetëruara në një mënyrë të tillë. Një ndihmë humanitare që do të ofronte Shqipëria ndaj krizave të emigrantëve në vendet e rajonit do të ishte një investim tepër i mirë, ndoshta investimi më i mirë i mundshëm në vetë imazhin e Shqipërisë. Një vepër e tillë do t’i tregonte botës se këtu ka qytetërim e humanizëm, e këto janë shenja të rëndësishme për të demonstruar se ekziston një perspektivë sado e zbehtë që ky vend dikur të dalë nga mjerimi e nga vetëpërcaktimi si viktimë e përhershme dhe absolute (prej së cilës nuk mund të presësh shumë). Një investim i tillë do të vlente shumë më shumë sesa fushatat milionere për “branding” të Shqipërisë nëpër mediat ndërkombëtare. Dikujt do të mund t’i shërbente edhe si terapi, për të platitur ndërgjegjen.

Gazeta “Shqip”

Top Channel