Superoperacion antikanabis në Dukagjin, asgjësohen 6675 bimë narkotike

18/08/2015 00:00

Policia e Shtetit ka nisur një operacion të gjerë antikanabis në zonën e Dukagjinit, koduar me emrin “Brashta”. Operacioni zhvillohet në zonat Ndreaj, Brashtë, Pylaj, Bob, Vuksanaj dhe Breg Lumi.

Aktualisht janë asgjësuar 65 parcela me rreth 6675 bimë narkotike. Grupet hetimore nga ana tjetër, po vijojnë sekuestrimin e çdo prove materiale në parcela, për të bërë të mundur evidentimin dhe kapjen e kultivuesve.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka inspektuar forcat e policisë në terren, ku ka theksuar se operacioni do të vijojë në të gjithë territorin e Dukagjinit.

Në këtë operacion janë përfshirë forcat RENEA, FNSH, dhe drejtoria e policisë së Shkodrës. Rreth 450 forca policie dhe 70 automejte do të krehin të gjithë territorin në zbulimin e parcelave të kultivuara me bimë narkotike.

Top Channel