Ahmetaj: Rritja, më shumë se parashikimi. Kontributin më të madh këtë vit e dha turizmi

18/08/2015 00:00

Edhe pse vetëm një javë më parë qeveria i rishikoi me ulje treguesit e kuadrit markoekonomik për të gjithë horizontin afatmesëm, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, deklaroi se ekonomia po ecën më shpejt nga pritshmëritë zyrtare.

“Rritja ekonomike po tregon se është mëshumë se sa ka parashikuar FMN. Rritja e tre-mujorit të parë ishte sfiduese, në kuptimin e asaj përgjegjshmërie që i jep qeverisë, 2.82 %. Tre-mujori i dytë ka qenë shumë i mirë gjithashtu”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj tha se rritja ekonomike po përfiton veçanërisht nga turizmi, që sipas tij, këtë vit ka regjistruar shifra rekord.

“Për herë të parë Shqipëria nuk përballonte dot kërkesat që vinin nga operatorët turistikë nga e gjithë bota. Problematikat nuk janë të reja, qoftë e dritave, qoftë të tjera, janë problematika që na kanë shoqëruar në 15 apo 20 vite. Sigurisht, që problematika ka qenë shumë më pak sivjet, se sa në vitet e kaluara”, vijoi Ahmetaj.

Duke e kundërshtuar Presidentin për rikthimin e ligjit të turizmit, Ahmetaj tha se Parlamenti do ta kalojë atë sërish në shtator.

Ndërkohë, përballë akuzave të opozitës për evazion dhe korrupsion në administratën fiskale, kreu i ekonomisë ka qenë dhe zëri i parë nga qeveria që ka komentuar rishikimin me ulje të buxhetit.

“Ajo që ka bërë qeveria është që ka axhustuar shpenzimet e të ardhurat, gjë që ndodh normalisht, rëndom, me natyrshmëri të qeverisë në çdo vit fiskal”, tha ai.

Top Channel