Shoqëria si spektatore e sadizmit

17/08/2015 00:00

Aleksandër Çipa – Janë dhjetëra ngjarje të përditshme që publikohen dhe fokusohen nga mediat tona si tragjedi të tmerrshme ditore.

Të gjitha vijnë si raportim, së pari prej komunikatave të policisë dhe më pas edhe prej dhjetëra reporterëve të kronikës në mediat e shkruara dhe ato audiovizive, por në këtë zell janë përfshirë edhe mijëra qytetarë-gazetarë të rrjeteve sociale. Ajo që mund të karakterizojë fluksin e pashtershëm të dramave dhe tragjedive të shoqërisë së sotme shqiptare është ndër të tjera edhe poezia e Fatos Arapit kur thoshte: “Kaq shumë tragjedi në kaq pak Tiranë!” (Nëse do të perifrazohej, do të duhej të thuhej: “Në kaq pak Shqipëri!”.

Këto tragjedi janë përditshmëri tronditëse e shoqërisë shqiptare. Të gjitha rrjedhin apo dalin prej një jete të keqe, por më së shumti prej një realiteti zezus në psikikën dhe mjediset familjare të Shqipërisë që kërkon një kohë dhe vijimësisht zhgënjehet prej kohësh. Të gjitha llojet e subjekteve të tragjedive po i konsumojmë dhe duket sikur një kërshëri e padukshme po plotësohet, ndërsa raportohet se sot nëna helmon fëmijën dhe e godet me shpullë foshnjën e vet. Dje babai përdhunoi vajzën e vet minorene, ndërsa djali i hallës trafikoi vajzën e dajës së vet, ndërsa burri vret e linçon gruan e tij, sikundër edhe nusja 26-vjeçare arrestohet se dhunonte dhe tradhtonte burrin e saj. Por subjekti më shekspirian i ditës është ky i motrave Kajtazi nga Kavaja…. Natyrisht, para dhe pas kësaj historie ka shumë e shumë më tragjike.

Kjo antologji subjektesh makabre dhe perverse, po pasurohet çdo ditë dhe për çdo ditë, publiku dhe opinioni nuk nginjen duke përgojuar dhe thashethemuar në mënyrën dhe brendinë më vrastare, këtë realitet të shoqërisë.

Shpërthime të forta zërash të mëvetësishëm të elitës apo sferës së intelektualitetit shqiptar, nuk ia dalin të krijojnë sadopak, një ndalje apo frymë të re reagimi dhe frenimi kundër kësaj rrjedhe të pashoqe barbarie e sadizmi. Bota universitare është e pandjeshme ndaj këtij realiteti të krizës së thellë morale dhe sociale. Rrjetet e shoqërisë civile që investohen për paqen sociale dhe edukimin human, po rezultojnë krejtësisht të pafuqishme, përballë këtij triumfi sadist të dramave dhe tragjedive sa blasfemuese aq edhe barbare. Është arrati e pafundme nëpër një marrëzi, e cila nuk po traumatizon dhe shkatërron vetëm të sotmen e kësaj shoqërie, por po shkakton pasoja në psikologjinë dhe mendësinë e brezave të rinj të shqiptarëve. Nuk po flasim për marrëdhënien që po sendërtojmë me publikun e huaj dhe sidomos opinionin e medias dhe faktorit ndërkombëtar.

Ka më shumë se një javë që mediat raportojnë dhe servirin dialogun që zhvillohet mes policisë gjyqësore dhe dy motrave Kajtazi. Të gjitha mediat ritransmetojnë vetërrëfimet plangprishëse të dy motrave që pasi tentuan aktin ekstrem atë dhe nënëvrasëse, pasi i vunë zjarrin shtëpisë prindërore, po prodhojnë një subjekt të mëtejshëm tronditës jo vetëm për familjen dhe fisin e tyre, por për krejt shoqërinë.

Publiku dhe sidomos publiku virtual i këtij vendi, po shfaqet përditë e më shumë si një spektator sadist. Dhe nuk mund të ngjasë ndryshe! Krejt shoqëria po jep provat e një soditëse barbare dhe bastarde. Raste të tilla të ngjara krejt në rrethana të ndryshme dhe pa ngjashmëri të tillë plangprishjeje, në vendet fqinje, do të ishin trajtuar me kohë kryekëput ndryshe.

Në këtë vend nuk kemi një interesim strukture që të mund të marrë në analizë gjendjen shpirtërore dhe psikike të dy personazheve. Nuk kemi një përfaqësues të klerikalizmit tonë, i cili të mund të ofrojë në këtë tragjedi, jo vetëm ngrohtësinë, por solidaritetin me një familje e cila po bëhet objekt i soditjes dhe gjykimit sadist prej opinionit. Kjo tragjedi ka dalë jashtë asaj familjeje, për shkak të ngjarjes si kronikë e zezë, por ajo ka pasur një parahistori dhe një kapitull të mbyllur në dyert dhe mjedisin e familjes Kajtazi. Të tilla mund të ketë me mijëra, por natyrisht vetëm asaj “i doli tymi” dhe iu bë publike arratia e dy vajzave plangprishëse.

Shoqëria jonë në kësi tragjedish dhe në kësi raportimesh të fokusuara, tradhton jo vetëm mungesën e solidaritetit shpirtëror dhe human ndaj viktimave, por njëkohësisht zbulon frikshëm sadizmin dhe cilësinë e vet si një spektatore e tillë. Po sillemi njëjtë si ajo turma primitive që mezi pret të sodisë sesi mund të linçohet tjetri në një mjedis, pa qenë arenë. Ky instinkt paranjerëzor ose primitiv, po na zbulon cektësinë reale të maturitetit në këtë kohë postmoderne. Në këtë instinkt bien pre jo vetëm viktimat e subjekteve si motrat Kajtazi, por edhe vetë personazhet e raportimit publik. U desh një ditë më parë të hidhej në rrjetet sociale një manipulim i një tabele rruge me emrin e gazetares Anila Basha dhe pa u verifikuar vërtetësia e faktit, qoftë edhe në faqen e Këshillit Bashkiak të Tiranës apo atë të Bashkisë, të vërshonte një gjiriz fyerjesh dhe lëndimesh sadiste. Edhe kur vetë viktima e këtij lajmi të sajuar e konsideron këtë vepër të “ushtrisë së piranjave”, sërish në rrjetet sociale vijojnë komentet që ekspozojnë më së shumti sesa i frustruar është ky opinion dhe publik virtual shqiptar.

Shoqëria jonë është sot në gjendjen kritike të vetes. Ajo po dominohet nga fryma dhe masa e spektatorëve sadistë. Në publik dhe në opinion po shuhet ndjeshmëria humane, sikundër është fundosur pothuajse krejt ndërgjegjja morale. Një shoqëri që arrin në këtë gjendje, ka përpara një kohë të zymtë dhe me shumë të panjohura. Shoqëritë në kriza të tilla, pjellin të keqen me shumë kokë, – do thoshte Dostojevski. Dhe e keqja e një shoqërie të tillë, është më gjëmëmadhe, kur vëren se publiku brenda saj, preferon të mbetet në pozitën e spektatorit sadist, pavarësisht se subjektet që prodhohen kanë sa barbari aq edhe primitivizëm.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel