“Thesari” shqiptar në Itali. Emigrantët, 3.2 mld euro të ardhura

15/08/2015 00:00

Italia është prej disa vitesh në recesion ekonomik, por emigrantët shqiptarë atje duket se i kanë rezistuar krizës. Një institut i specializuar kërkimor, Fondacioni “Leone Moresa”, raportoi se vitin e kaluar emigrantët shqiptarë në Itali deklaruan 3.2 miliardë euro të ardhura.

Kjo është sa 32% e prodhimit të brendshëm bruto në Shqipëri dhe krahasuar me vitin e kaluar të ardhurat e shqiptarëve janë rritur me 2.8%.
 
Ekonomikisht shqiptarët janë komuniteti i dytë më i fuqishëm në Itali, pas rumunëve, të cilët vitin e kaluar deklaruan 6.4 miliardë euro të ardhura. Por, nëse shifrat raportohen për frymë, atëherë ndër emigrantët që vijnë nga vendet në zhvillim shqiptarët janë ata që kanë të ardhurat më të larta. Përkatësisht, vitin e kaluar pranë organeve fiskale në Itali paguan taksa 243 mijë e 781 shqiptarë dhe e ardhura mesatare e deklaruar ishte 12 mijë e 930 euro. Në vend të dytë vijnë indianët me 11 mijë e 860 euro.

Studimi, i cili vjen në një kohë tensionesh brenda Bashkimit Europian për çështjen e emigracionit, del në përfundimin se emigrantët janë një burim i rëndësishëm ekonomik për vendet pritëse. Më konkretisht, vitin e kaluar në Itali ata paguan 16.5 miliardë euro në formën e taksave dhe tatimeve, ndërkohë që shpenzimet publike për emigrantët ishin 12.6 miliardë euro. 

Greqia, ana tjetër e medaljes

Por, nëse në Itali shqiptarët i kanë rezistuar krizës dhe kanë zgjeruar të ardhurat e tyre, në Greqi bashkëkombasit tanë nuk kanë qenë kaq me fat. Ndonëse nuk ka të dhëna të hollësishme mbi të ardhurat e emigrantëve shqiptarë në Greqi, një studim i Bankës së Shqipërisë gjeti se dërgesat që ata sjellin në atdhe kanë rënë me 3 herë vitet e fundit.

Sipas Bankës, nëse në vitin 2007 emigrantët shqiptarë në Greqi dërgonin 45% të të gjithë remitancave që merrte Shqipëria, aktualisht pesha e tyre ka rënë në 25%. E përkthyer në vlerë monetare, kjo do të thotë se nga 440 milionë euro që dërgonin në vitin 2007, aktualisht emigrantët nga Greqia sjellin pranë familjeve të tyre më pak se 130 milionë euro në vit.
 
Tkurrja e dërgesave nga Greqia ka qenë dhe shkaku kryesor i rënies së të ardhurave që Shqipëria merr nga emigrantët. Sipas Bankës së Shqipërisë, nga 951 milionë euro që ishin në vitin 2007, në fund të vitit 2013 dërgesat e emigrantëve ranë në 541.7 milionë euro.

Top Channel