Shkatërrohen rrjetet e trafikantëve, bllokohen 7 grupe kriminale shqiptare

15/08/2015 00:00

‘The Times’ e Londrës shkruan se nga 19 rrjetet kriminale që merren me trafikimin e qenieve njerëzore dhe që janë shkatërruar nga policia, vetëm në zonën e Calais, në pikën hyrëse mes Francës e Britanisë, 7 prej tyre janë shqiptare.

Sipas shtypit britanik, aktiviteti i tyre kriminal ka gjeneruar vetëm brenda një viti një fitim prej 2 milionë eurosh. Kjo shifër konfirmon një rritje të grupeve kriminale që merren me organizimin e udhëtimit të emigrantëve drejt Britanisë në krahasim me vitin 2014, kur në total policia arriti të shkatërronte vetëm 6 rrjete kriminale.

Arrestimet e kësaj jave të njërit prej grupeve kriminale shqiptare ishin pjesë e një hetimi të fshehtë të nisur nga policia kufitare në muajin maj. Nga 1 shkurti deri në 10 gusht të këtij viti, grupimi shqiptar kishte organizuar 44 udhëtime me 250 emigrantë shqiptarë që kërkonin të hynin në Britani. Vetëm në 24 nga këto udhëtime, dërguan në ishull 150 prej tyre.

Këto grupime thuhet se janë të armatosura dhe posedojnë shuma të mëdha parash të thata dhe bashkëpunojnë me shoferët e huaj të mauneve që transportojnë mallra drejt Britanisë së Madhe.

Shumë prej tyre organizojnë udhëtime duke rekrutuar shtetas francezë në gjendje të keqe ekonomike nga periferitë e Parisit, duke u paguar për udhëtimet e duke marrë makina me qira për të shmangur dyshimet e policisë.

Dyndjet e shqiptarëve drejt Britanisë kanë pësuar rritje gjatë vitit të fundit, ku shumica janë të rinj e minorenë që kërkojnë azil për gjakmarrje, prostitucion, orientim seksual apo për t’iu shmangur radikalizimit fetar, ndërkohë që shumica e të rriturve rrinë në të zezë dhe një pjesë angazhohen në aktivitete të tjera kriminale.

Top Channel