Apple është duke ndërtuar një makinë të vetëkontrollueshme pa nevojën e një drejtuesi, teksa është vënë në kërkim të vendndodhjeve të sigurta në Silicon Valley për ta testuar atë.

Lajmi bëhet i ditur pasi “the Guardian” ka mundur të sigurojë disa dokumente, që tregojnë se projekti i përfolur shpesh i Apple për një makinë me vetëdrejtim duket se ka avancuar më shumë nga sa mund ta mendonim.

Në maj, inxhinierë të grupit të projektit special dhe të fshehtë u takua me zyrtarë nga stacioni GoMentum, një ish-bazë detare prej disa hektarësh pranë San Franciscos, që pritet të shndërrohet në një terren testues i sigurisë së lartë për mjetet që drejtohen në mënyrë autonome.

Në dokumentet e siguruara prej “the Guardian”, inxhinieri i Apple, Frank Fearon, ka shkruar: “Ne do të donim të siguronim një mirëkuptim në lidhje me disponueshmërinë dhe afatin kohor të kësaj hapësire dhe sesi do të mund të koordinohemi me palët e treta, që mund të duhet ta përdorin atë”.

E pavarësisht këtij zbulimi, Apple ka refuzuar të komentojë.

Lëvizja e fundit e gjigantit amerikan të elektronikës vjen pasi Google, Uber dhe kompani të tjera teknologjike janë duke hedhur paratë lumë në investimet për makina robotike. Shefi ekzekutiv i Apple, Tim Cook, ka mbajtur një seri takimesh me ekzekutivë të kompanive të makinave gjatë muajve të fundit, ndërsa kompania ka afruar ekspertë automjetesh, përfshi edhe kreun e grupit studiues të Mercedes Benz në Silicon Valley.

Stacioni GoMentum është një stacion i armatimeve detare Concord, një ambient i papërdorur që prej Luftës së Dytë Botërore, me shumë autostrada dhe rrugë ndërqytetase, por baza është e mbyllur për publikun dhe e mbikëqyrur nga ushtria, duke e bërë atë zyrtarisht “mjedisin më të madh dhe më të sigurt në botë për testime”.

Mercedes Benz dhe Honda kanë zhvilluar të tilla eksperimente me makina robotike. Cook, ndër të tjera është takuar edhe me bosin e Fiat-Chrysler, Sergio Marchionne, si dhe ka vizituar linjën e prodhimit të makinës elektrike BMW i3.

Top Channel