Disa vite më parë, nëse dëshiroje të dëgjoje një këngë të preferuar do të duhej të blije një kasetë magnetofoni apo CD, apo të ndizje radion dhe të shpresoje se do ta dëgjoje.

Por në dekadat e fundit gjërat kanë ndryshuar shumë shpejt dhe tashmë çdo këngë mund të gjendet online në pak sekonda. Konsumatorët mund t’i blejnë në iTunes, të shohin videon bashkëngjitur në YouTube apo ta transmetojnë në shërbime si Spotify apo Apple Music.

Me gjithë këto mundësi për të dëgjuar muzikë, radio do të duhej të ishte në kohën e saj më të vështirë, por në të vërtetë ajo është shumë mirë.

“Forbes” shkruan që, edhe pse disa stacione radiofonike janë mbyllur apo kanë kufizuar programet e tyre, industria mbetet ende e fortë, dhe ka ende vend për radio të tjera që të lulëzojnë. Revista i referohet një raporti të Nielsen javën e kaluar. Sipas këtij raporti, në 3-mujorin e dytë të vitit 2015 është regjistruar numri më i lartë i njerëzve që dëgjojnë radio.

Raporti jep detaje demografike mbi atë se kush dëgjon, çfarë dhe kur, dhe për këtë “Forbes” sugjeron se e vetmja gjë që duhet të bëjë industria e radios për të thithur reklama është të gjejë një mënyrë për të tërhequr vëmendjen e publikut për një periudhë të gjatë kohe.

Një nga arsyet që radio është ende e përhapur në shoqërinë tonë është se ajo është shumë lehtë e disponueshme. Shumë njerëz dëgjojnë radion në makinën e tyre gjatë udhëtimit apo kur shkojnë në punë, dhe pas kësaj kohe, ata u drejtohen kompjuterëve dhe janë të zënë gjatë gjithë ditës.

Shërbime si iHeartRadio kanë analizuar të dhënat e Nielsen dhe janë duke kërkuar mënyra që dëgjuesit e radios të jenë në kontakt edhe kur largohen nga automjetit, nëpërmjet aksesit në pajisje të ndryshme.

Radio është një format shumë lehtë i aksesueshëm dhe i kuptueshëm. Ka ende miliona njerëz që përpiqen të përdorin shërbimin e transmetimit, por të gjithë e dinë si të përdorin një radio. Kur dëgjon radion sigurisht që nuk ke lirinë të zgjedhësh një këngë të preferuar nga libraria e dhjetëra miliona këngëve. Por shumë njerëz janë të lumtur të identifikojnë stilin e tyre të muzikës, si pop, rock, hip- hop etj., dhe ia lënë në dorë një kuratori (në rastin e radios, një DJ) për përzgjedhjen muzikore. Zgjedhjet e panumërta janë të mira, por ka ende miliona njerëz që dëgjojnë radion.

Top Channel