Mosrealizimi i të ardhurave, thellohet deficiti; nuk realizohen edhe investimet

13/08/2015 00:00

Dy javë më parë, përmes një Akti Normativ, qeveria ndryshoi buxhetin duke ulur me 16.3 miliardë lekë planin e të ardhurave. Vendimi erdhi, pasi deri në qershor administrata fiskale mblodhi 8.6 miliardë lekë më pak nga parashikimi i periudhës.

Në draftin e rishikuar qeveria ka planifikuar të njëjtin nivel mosrealizimi edhe në gjysmën e dytë të vitit. Por të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se kjo mund të mos mjaftojë. Sipas Ministrisë së Financave, për muajin korrik të ardhurat e mbledhura ishin 2.5 miliardë lekë më pak se plani i vjetër, duke e çuar nivelin e mosrealizimit për 7 mujorin në 11.2 miliardë lekë.

Ministria e Financave nuk e ka bërë ende publik planin e rishikuar mujor. Por nëse të ardhurat do të ruajnë këtë ritëm, gjasat janë që deri në fund të vitit mosrealizimet të jenë dukshëm më të larta se shifra 16.3 miliardë lekë që u akomodua përmes rishikimit. Kjo do të thotë se qeverisë mund t’i duhet ta shkurtojë sërish buxhetin, nëse administrata nuk përmirëson mbledhjen e të ardhurave.

Kryeministri parlajmëroi një aksion të gjerë kundër informalitetit. Qeveria është angazhuar me Fondin Monetar në një program për uljen e borxhit dhe çdo devijim i të ardhurave nga plani kërkon masa korrektuese shtesë, si rritje taksash ose shkurtim shpenzimesh. Kjo do të ishte një zgjedhje e padëshirueshme, në radhë të parë për ekonominë, por së dyti, edhe për vetë qeverinë, e cila duhet të bindë FMN-në se mund ta ulë borxhin pa patur nevoje të rrisë taksat. Dhe kjo nuk do të jetë e lehtë. Veçanërisht për vitin tjetër.

Mbledhja e të ardhurave nuk është pjesa e vetme problematike e buxhetit. Autoritetet po hasin vështirësi edhe edhe në realizimin e investimeve publike. Në 7 muajt e parë, investimet ishin 20 për qind më pak se plani, ku nga 30 miliardë lekë të planifikuara u kryen vetëm 24.5 miliardë.

Qeveria thotë se shkaku i mosrealizimit lidhet me vonesat në disbursimet e kredive të huaja. Për ta korrektuar këtë, kur rishikoi buxhetin ajo i rialokoi investimet nga projekte me financim të huaj drejt atyre me financim të brendshëm. Investimet publike administrohen dhe janë përgjegjësi e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Por për të dytin vit me radhë realizimi i tyre po rezulton problematik, dhe kjo sipas FMN-së, mund të dëmtojë rritjen ekonomike.

Top Channel