Efektivët e komisariatit të policisë së Matit, në vijim të punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, kanë gjetur dhe asgjësuar këtë të martë mbi 200 rrënjë kanabis sativa.
Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet policore lokale, sipas të cilave aksioni i uniformave blu është realizuar pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative.
Kështu, agjentët kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm në fshatin German dhe në vendin e quajtur Përroi kanë gjetur bimët e kultivuara.
Sipas burimeve, bimët ishin mbjellë në një parcelë, me lartësitë që varionin nga 40 deri në 110 centimetra.
Shumica e tyre janë asgjësuar me anë të zjarrit, ndërsa të tjerat janë konfiskuar në cilësinë e provës materiale, saktësojnë burimet, të cilat shtojnë se efektivët po punojnë për identifikimin e kultivuesve.
Ndërkohë, në një operacion të ngjashëm, uniformat blu në Gjirokastër kanë asgjësuar mbi 1.900 bimë kanabis, të gjetura në fshatin Fushëbardhë.
Drejtuesit e policisë lokale kanë bërë të ditur se janë mbi 46 mijë bimët narkotike të asgjësuara në këtë qark që nga fillimi i vitit.
Top Channel