Google ka njoftuar për një riorganizim të kompanive të saj, duke krijuar një kompani “mëmë” të quajtur “Alphabet”. Në krye të kësaj kompanie do të jenë themeluesit e Google, Larry Page, si shef ekzekutiv dhe Sergey Brin, si president.

“Alphabet” tani do të shërbejë si një kompani “mëmë” për një numër kompanish tjera më të vogla, përfshirë Google si dhe të gjitha bizneset që kanë funksionuar nën ombrellën e saj, si Youtube, Android, aplikacionet dhe të tjera.

Gjithashtu, pjesë e “Alphabet” do të jenë edhe disa departamente të tjera të cilat kanë vepruar si të pavarura si Life Sciences, Google X, Wing, Google Ventures dhe Google Capital.

“Nuk jemi duke synuar që kjo të bëhet një markë e madhe përmes produkteve tjera, pasi kompanitë nën ‘Alphabet’ do të kenë pavarësinë dhe mundësinë për t’u zhvilluar vetë”, është shprehur Larry Page.

Ndërkohë, në pozitën e Page, si shef ekzekutiv te Google, tani e tutje do të jetë Sundar Pichai. Ky i fundit është pjesë e Google që nga viti 2004, ndërsa së fundmi ka qenë në pozitën e shefit të produkteve.

Top Channel