Veseli pret ambasadoren greke: Hapa praktikë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe

04/08/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli kërkoi ndërmarrjen e hapave praktikë nga shefja e Zyrës greke në Prishtinë, hapa që do të forconin marrëdhëniet mes dy shteteve.

Ai e priti zonjën Konstantine Athanassiadou në një takim, gjatë së martës, me të cilën – siç u njoftua në një komunikatë për shtyp, – është biseduar për rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e investimeve në Kosovë dhe në atë të arsimit.

“Kryetari Veseli falënderoi ambasadoren greke për bashkëpunimin e deritanishëm, ndërsa theksoi nevojën e begatimit të këtij bashkëpunimi me përmbajtje të reja dhe hapa praktikë, për t’i kontribuuar forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe atij rajonal, fqinjësisë së mirë dhe të ardhmes së përbashkët euroatlantike”, thuhet në komunikatën e Kuvendit.

Veseli kërkoi gjithashtu mbështetjen e Athinës zyrtare në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare.

Nga ana e saj, – sipas komunikatës, – ambasadorja Athanassiadou ofroi mbështetjen e shtetit të saj për angazhimet aktuale të institucioneve të Kosovës, në rrugën e integrimit europian dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, duke kontribuuar kështu në forcimin e paqes e të qëndrueshmërisë rajonale.

Top Channel