Vlorë, 7 vite e 6 muaj burgim për dy falsifikatorë e përvetësues pronash

02/08/2015 00:00

Gjykata e Vlorës ka dhënë një dënim total prej 7 vitesh e 6 muaj burgim për dy shtetas të akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe përvetësim të paligjshëm trualli.

Pas shqyrtimit dhe gjykimit të materialeve hetimore, Gjykata e Vlorës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së këtij rrethi, për t’i dënuar shtetasit Vilson Lushaj dhe Blerina Dhami, me nga 3 vite e 6 muaj dhe 4 vite burgim respektivisht.

Blerina Dhami, ish-juriste e ZRPP-së (Hipotekës) së Vlorës, duke përdorur dokumentet e falsifikuara prej Vilson Lushajt, – i cili nëpërmjet tyre ka synuar përfitimin e kundërligjshëm të pronësisë ndaj pasurive të paluajtshme me vlerë tregu rreth 2 milionë euro, – edhe pse ka pasur dijeni mbi përmbajtjen e rreme të dokumenteve, në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore dhe në mospërmbushje të detyrës së saj, ka kryer regjistrimin në regjistrat e pasurive të paluajtshme të ZRPP-së së Vlorës të dy trojeve me në total 22 mijë metrash katrorë, në favor të të pandehurit Lushaj dhe familjarëve të tij.

Pas vendimit për t’i dënuar me burg dy të pandehurit, Gjykata e Vlorës ka marrë edhe vendimin për konfiskimin e truallit të përfituar në mënyrë të paligjshme nga ana e tyre. Trojet gjenden në zonën e plazhit të vjetër, në lagjen “1 Maji” të qytetit bregdetar të Vlorës.

Top Channel