Aksioni kundër kultivimit të hashashit, asgjësohen 4 mijë rrënjë

01/08/2015 00:00

Mbi 4 mijë rrënjë bime hashashi janë asgjësuar nga Policia e Shtetit në disa operacione të ndryshme të ndërmarra ditën e djeshme në rrethin e Kolonjës, Kurbinit dhe Vlorës

Në Kolonjë, në vijim të kontrollit  të territorit  për evidentimin  dhe asgjësimin e bimëve narkotike të kultivuara, si edhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, forcat e policisë kanë ushtruar kontroll të imtësishëm, në pyllin e fshatit  Mbreshtan ku janë gjetur 2650 rrënjë hashashi të mbjella në dy parcela.

Në një parcelë janë gjetur 1750 rrënjë me një lartësi që varionte nga 20 deri në 70 centimetra, ndërsa në parcelën e tjetër janë gjetur 900 kubikë me bimë rreth 3 centimetra të larta dhe gati për mbjellje.

Bimët narkotike u asgjësuan në vend, me anë të djegies dhe një pjesë e tyre u morën në cilësinë e provës materiale.

Grupi  hetimor po vazhdon punën për identifikimin  dhe kapjen e  autorëve të implikuar në  veprën penale.

Në Kurbin, policia ka asgjësuar 700 rrënjë në një operacion të ndërmarrë në fshatin Selitë. Aksioni u ndërmor ditën e premte në zonën e quajtur Shpati i Malit. Bimët ishin mbjellë në dy parcela në një distancë të afërt nga njëra-tjetra.

Policia ka asgjësuar me anë të djegies lëndën narkotike dhe po punon për identifikimin dhe vendosjen para drejtësisë së kultivuesve të drogës.

Në Vlorë, policia identifikoi dhe më pas asgjësoi me anë të djegies rreth 550 rrënjë në një parcelë në fshatin Kallarat dhe po punon për identifikimin e kultivuesve të bimës narkotike.

Top Channel