Pajisjet me sistemin operativ Android janë në rrezik të përfundojnë në një “gjendje vegjetative” përgjithmonë. Kështu bën të ditur shoqëria e sigurisë TrendMicro. Ekspertët shpjegojnë se kanë vënë në dijeni Google që në 15 maj, por një alarm i tillë sipas tyre ka një prioritet të ulët nga kolosi kalifornian.

Hakerat mund të shfrytëzojnë dosjet e videove dhe kjo ndërhyrje mund të transformojë pajisjen Android në një telefon të “vdekur”, të heshtur, të paaftë të bëjë thirrje telefonike dhe me ekranin që nuk i përgjigjet disa tipe komandash.

Ky rrezik është gjetur që në versionin 4.3 të Android, deri tek i fundit, Lollipop 5.1.1. “Në rrezik është gjysma e pajisjeve Android në momentin e përdorimit. Ende nuk është ofruar një zgjidhje për problemin, por Google-it i është dërguar sinjal që në maj. Ndërhyrja në pajisje mund të bëhet “aktive” nëpërmjet një dosjeje multimediale që shfrytëzohet në dy mënyra: ose me aplikacionin malinj, në gjendje të infektojë telefonin, ose nëpërmjet një faqeje të krijuar”, thotë Wish Wu, inxhinier i TrendMicro.

Ky zbulim për Android vjen pak ditë pas atij që quhet Stagefright, e bërë e ditur nga shoqëria Zimperium, që i jep mundësi hakerave të hyjnë në pajisje thjesht duke çuar një mesazh multimedial në telefon. Por, Google ka thënë se e ka rregulluar këtë problem.

Top Channel