Kuvendi i Kosovës, debate mbi identitetin nëpër letërnjoftime

31/07/2015 00:00

Propozimi i deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, që në letërnjoftimet e kosovarëve të shkruhet edhe identiteti kombëtar, si dhe propozimi i deputetit boshnjak, Qerim Bajrami, për shtypjen e formularëve në gjuhën boshnjake në ato komuna, ku ky minoritet është në mbi 5 për qind, kanë shkaktuar polemika në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Me shumicë votash, deputetët nuk e mbështetën propozimin e deputetit Hasani, i cili u shpreh i habitur sesi shqiptarët heqin dorë nga identiteti i tyre.

Madje, ai shprehu edhe habinë në lidhje me faktin se, shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut, për interesat e tyre personale heqin dorë nga identiteti dhe prishin shtetësinë e tyre.

Edhe për propozimin e deputetit boshnjak debati u zgjat, pasi kryesuesi i seancës Xhavit Haliti deklaroi se nuk mund të miratohej një kërkesë, e cila sipas tij nuk është e parashikuar me Kushtetutë.

Pasi dëgjoi disa arsyetime të deputetëve, Haliti tha për këtë çështje se, nuk mundet të lejojë të vendoset në formën siç është propozuar, duke thënë se kjo çështje duhet të shqyrtohet në sesionin e ri të vjeshtës në Kuvend.

Top Channel