Droni, që do të sigurojë internet në pjesët më të largëta të botës, është ndërtuar tashmë nga “Facebook”.

“Misioni ynë është për të lidhur të gjithë botën. Kjo do të jetë një mundësi e madhe për ne, për të motivuar industrinë për të lëvizur më shpejt në këtë teknologji”, është shprehur Jay Parikh, nënkryetar i inxhinierisë në kompani.

Avioni i telekomanduar do të peshojë rreth 400 kilogramë, krahët e tij kanë madhësinë e atyre të një “Boeing 737”, ndërsa pritet të testohet gjatë këtij viti.

Droni do të qëndrojë nga 20 deri 30 kilometra mbi tokë, mbi lartësinë e avionëve të pasagjerëve, në mënyrë që të mos preket nga çrregullimet e motit.

Drejtori i Departamentit të Inxhinierisë të “Facebook”, Yael Maguire tha: “Në mënyrë që këta avionë të telekomanduar të fluturojnë për muaj apo vite me radhë, ne duhet t’i bëjmë të fluturojnë përtej kushteve atmosferike, madje edhe mbi hapësirën e ajrore ku qarkullojnë avionët komercialë. Dronet duhet të mendohen si aeroplanë, sepse ata do të kenë madhësinë e një aeroplani komercial”.

Maguire shtoi se “Facebook” nuk ka në plan t’i shesë këto pajisje, por do t’i përdorë ato për të zgjeruar aksesin në internet.

Top Channel