Dialogu me Serbinë, Tahiri: Nuk do të ketë pezullim të bisedimeve në Bruksel

29/07/2015 00:00

Ministrja kosovare për Dialogun me Serbinë, Edita Tahiri ka bërë me dije se, nuk do të ketë ndërprerje apo pezullim të procesit të dialogut në Bruksel. Por, zbatimi i marrëveshjes për policat e sigurimeve, sipas Tahirit, do të fillojë pas 5 gushtit.

Ministrja Tahiri ka deklaruar për “Epokën e re” se, më 5 gusht do të mbahet takimi i radhës, ku do të saktësohen të gjitha aspektet teknike për të vazhduar me zbatimin e marrëveshjes.

“Kemi rënë dakord që më 5 gusht të takohemi në Bruksel, për t’i sakësuar të gjitha përgatitjet teknike, në mënyrë që të mos ketë më ndonjë arsyetim të pabazë Serbia, që gjasme për shkak të përgatitjeve teknike, nuk ka arritur të zbatojë marrëveshjen. Pra, takimi i 5 gushtit do t’i saktësojë të gjitha aspektet teknike dhe menjëherë pas tij do të fillojë zbatimi i marrëveshjes”, ka theksuar Tahiri.

Ministrja kosovare ka shtuar në vijim se, marrëveshja për njohjen reciproke të policave të sigurimit në mes të dy shteteve është në radhë të parë në dobi të qytetarëve, sepse ata kanë paguar kosto të larta të policave gjatë kalimit në Serbi.

Ministrja e Dialogut, Edita Tahiri ka treguar gjithashtu se, në kuadër të dialogut në Bruksel, në proces janë çështja e zbatimit të marrëveshjes për energjinë, çështja e heqjes së barrikadës nga ura e Ibrit dhe çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Top Channel