Specialja, Haliti: Gati ta votojmë edhe në kohë pushimesh

27/07/2015 00:00

Kryesia e Kuvendit të Kosovës është e gatshme ta thërrasë në çdo çast seancën për të miratuar amendamentin për Gjykatën Speciale, edhe në rast se deputetët do të jenë me pushime.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti tha të hënën pas mbledhjes së Kryesisë se deputetët duhet të jenë të gatshëm në çdo moment nëse lajmërohen për të ardhur në Kuvend, nëse qeveria është e gatshme për rivotim të amendamentit kushtetues.

“Nuk kemi pasur deri më sot asnjë kërkesë për riprocedim. Qeveria e Kosovës, sipas Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, i ka mundësitë që ta thërrasë seancën për riprocedim të amendamenteve kushtetuese dhe të caktojë kohën kur ata janë gati dhe kur i kanë kushtet për ta sjellë. Edhe nëse do të na duhet të mos shkojmë me pushime më 1 gusht nuk ka ndonjë problem. Edhe nëse do të jetë e nevojshme të mbajmë një seancë gjatë periudhës së pushimeve për një çështje urgjente, deputetët do të duhet të jenë në krye të detyrës”, deklaroi Haliti.

Në mbledhjen e Kryesisë është vendosur që Kuvendi të mbajë seancë të rregullt plenare të enjten, kur do të shqyrtojë projektligjin për dixhitalizimin e transmetimeve radiofonike tokësore dhe do të bëjë zgjedhjen e pesë anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit publik.

Në mbledhjen e kryesisë është shqyrtuar edhe kërkesa e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka ftuar në interpelancë ministrin e Bujqësisë, Memli Krasniqi.

Por ky i fundit ka njoftuar Kryesinë se ministria që ai drejton nuk mbulon fushën për të cilën partia e Ramush Haradinajt e ka ftuar në interpelancë.

Top Channel