Marrëveshja për policat e sigurimeve, Tahiri: BE presion Serbisë

25/07/2015 00:00

Bashkimi Evropian ka filluar bisedimet me Beogradin zyrtar rreth zbatimit të marrëveshjes për policat e sigurimeve, të arritur në dialogun e Brukselit.

Ministrja për Dialogun në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se duhet të bëhen disa përmirësime nga pala serbe në marrëveshjen për lëvizjen e lirë.

Ajo ka thënë se zyrtarë të BE-së kanë filluar bisedimet me palën serbe në Beograd pasditen e së premtes dhe se fillimi i zbatimit të marrëveshjes është çështje ditësh.

“Nuk ka një datë për këtë çështje, pasi në këto momente BE-ja është në bisedime me palën serbe. Besoj që zgjidhja e kësaj çështjeje do të bëhet brenda disa ditësh”, ka thënë Tahiri, e cituar nga gazeta “Koha Ditore”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se presioni i Brukselit do të ndikojë tek Serbia që të nisë zbatimin e marrëveshjes.

“Kemi mospërmbushje të marrëveshjes nga ana e Serbisë. Që do të thotë se Serbia nuk u është përmbajtur afateve sipas të cilave nga sot do të fillonte përmbushja e marrëveshjes. Pra, nuk kemi të bëjmë me anulim apo pezullim të marrëveshjes, por bëhet fjalë për pagatishmërinë e Serbisë. Ajo duhet të punojë që t’i përmbushë edhe disa detyrime që i ka marrë përsipër sipas marrëveshjes”, ka thënë një ditë më parë kryeministri  Mustafa.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta