30 vjet nga “zhdukja’ e Amiga, një rrjet shkollash në SHBA e përdor ende

25/07/2015 00:00

Një rrjet shkollash në Michigan janë ende duke përdorur kompjuterin Commodore Amiga, kompjuteri i famshëm i viteve ’80 që nuk prodhohet më që prej vitit 1991. Mbikqyrësi i mirëmbajtjes, Tom Hopkins thotë se edhe pas 30 vjetësh disa shkolla vazhdojnë të përdorin këtë kompjuter për të kontrolluar sistemin ngrohës dhe ftohës të institucioneve.

“Sistemi kontrollon ndezjen dhe fikjen e dusheve, të ventilatorëve, pompave, monitoron temperaturën e hapësirës”, ka thënë Hopkins.

Tashmë distrikti Grand Rapids shpreson se nëse komuniteti do të aprovojë fondin prej 175 milionë dollarësh të ofruar në nëntor, më në fund mund të zëvendësohen këta kompjuter të vjetër.

“Kjo është një pjesë e pajisjeve që janë harruar, dhe për këtë duhen sjellë të tjera. Nuk mund ta imagjinoj që sistemi ynë i sigurisë apo zyrat e financës të funksionojnë me diçka të 30 viteve më parë”, ka thënë Hopkins për The Huffington Post.

Ai thotë se kompjuteri i Amiga-s mund të ndalet së punuari në çdo moment, dhe është e vështirë të gjesh pjesë për të. Pjesët e vjetra të programit përdorin frekuencat e radios që përdoret për lajmërime në shkollë.

Megjithatë, drejtori i shkollës, John Helmholdt thotë se, edhe pse kompjuteri do të zëvendësohet ai nuk do të largohet. “Është bërë diçka simbolike gjithësesi. Mund të jetë i vjetër, por gjithësei punon dhe prodhon rezultate”, ka thënë ai.

Top Channel