Tepelenë, asgjesohen 6.100 rrënjë kanabis. Çako ndjek operacionin

23/07/2015 00:00

Të paktën 6 mijë e 100 rrënjë kanabis sativa u shkatërruan në zonën e Tepelenës gjatë një operacioni policor, ku u angazhuan më shumë se 50 punonjës policie.

Zona ishte mbikëqyrur më parë dhe operacioni u zhvillua herët në mëngjesin e së enjtes. Kreu i Policisë së Shtetit Haki Çako, drejtori i forcave të sigurisë, Altin Qato dhe kreu i misionit Interforza, Michele Grillo e monituaruan këtë operacion nga ajri, me avionë të posaçëm të Guardia di Finanza, të pajisur me teknologjinë më të fundit.

Drejtuesit e policisë kryen jo vetëm këtë monitorim, por bënë edhe vëzhgimin e zonës përreth nëse kishte mbjellje të tjera të bimës narkotike.

Policia ka konstatuar se pas dy operacioneve të vitit të shkuar në Lazarat dhe Dukagjin, por edhe në të gjithë territorin e vendit, kultivuesit kanë ndërruar formën e mbjelljes.

Tashmë, sipas raportit policor, nuk ka më parcela të mëdha, por parcela të vogla në largësi nga njëra-tjetra. Gjithësesi, policia thote se është reduktuar sipërfaqja e kultivuar dhe se nga 1 janari deri në 22 korrik 2015, janë asgjesuar 261.699 bimë narkotike kannabis sativa.

Top Channel