Kosovë, arrest shtëpie kryetarit të Gjykatës së Apelit

23/07/2015 00:00

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë këtë të enjte vendimin që kryetari i Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj dhe e pandehura tjetër Vlora Gorani të mbahen në arrest shtëpiak për një muaj nga data e arrestimit.

Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale, masa e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit Mekaj është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “ushtrimit të ndikimit”.

Ndërsa e pandehura Gorani dyshohet për “dhënie ryshfeti” me qëllim manipulimin e vendimit të gjykatës. Ndaj tyre është urdhëruar edhe masa e konfiskimit të pasaportës.

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj u ndalua pak ditë më parë nga Policia e Kosovës, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Prokuroria Speciale e këtij vendi.

Top Channel