Gjykata Speciale, Qeveria i kërkon Kuvendit seancë të posaçme javën e ardhshme

23/07/2015 00:00

Qeveria e Kosovës do të kërkojë nga Kuvendi të mblidhet gjatë javës së ardhshme në një mbledhje të posaçme, për të votuar për të dytën herë amendamentin kushtetues që i hap rrugë krijimit të Gjykatës Speciale.

Burime të Top Channel brenda koalicionit qeveritar kanë bërë të ditur se, pas takimit që zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka pasur me deputetët e partisë së tij, ai ka siguruar votat e nevojshme për miratimin e Speciales.

Mësohet se, procedurat që do të ndiqen nga Qeveria janë të njëjta me ato të radhës së kaluar, kur dështoi votimi i gjykatës, për shkak se koalicioni qeveritar nuk arriti t’i siguronte 80 votat e nevojshme, pasi disa deputetë të PDK-së munguan e disa të tjerë votuan kundër.

Kabineti qeveritar pritet të diskutojë gjatë javës së ardhshme për nevojën e riprocedimit të amendamentit kushtetues për formimin e Gjykatë Speciale. Më pas, Kryesia e Kuvendit, në bazë të kërkesës së Qeverisë, pritet të thërrasë seancën plenare, ku do të provohet për herë të dytë të votohet për të njëjtin amendament kushtetues.

Nëse Kuvendi e miraton amendamentin kushtetues për Specialen me dy të tretat e votave të deputetëve, atëherë Qeveria do të thërrasë menjëherë një mbledhje urgjente dhe do ta procedojë për në Kuvend edhe projektligjin për Gjykatën Speciale, për të cilin nevojiten në fakt vetëm votat e shumicës së thjeshtë së deputetëve.

Gjatë javëve të fundit, në Prishtinë është shtuar presioni ndërkombëtar mbi krerët e institucioneve kosovare, që të miratojnë sa më parë Gjykatën Speciale, para se Kuvendi të shkojë me pushime deri në shtator.

Top Channel