Kosovë, kreu i Apelit paraqitet në seancë dëgjimore. Ankohet për kushtet

22/07/2015 00:00

I arrestuar dy ditë më parë, kryetari i Gjykatës së Apelit të Kosovës, Sali Mekaj, të mërkurën është dërguar në departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku është mbajtur seanca dëgjimore.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Sali Mekaj, vendim që pritet të merret të enjten. Sali Mekaj dyshohet për “shpërdorim të pozitës zyrtare” dhe “ushtrim të ndikimit” ndaj një gjykatëseje në Gjykatën Themelore në Pejë.

Pas më shumë se dy orësh, sa zgjati seanca, avokati mbrojtës i të pandehurit, Destan Rukiçi tha se, e gjithë akuza është bazuar në thashethemet e së pandehurës tjetër në po të njëjtin rast, Vlora Gorani. Ndërsa, lidhur me raportimin në media për marrje ryshfeti prej 20 mijë eurosh, avokati Rukiçi tha se, një gjë e tillë nuk qëndron dhe nuk është shkruar as në kërkesën e Prokurorisë.

Para seancës dëgjimore, kryetari i Gjykatës së Apelit Sali Mekaj është vizituar nga monitorues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ku është ankuar se nuk ka kushte të mjaftueshme për mirëmbajtjen e higjienës.

KMDLNJ, përmes një komunikate ka njoftuar se, në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë nuk ka kushte për mbajtje të personave të ndaluar, sikurse nuk ka kushte as për punën e oficerëve dhe stafit, që përkujdeset për personat e arrestuar.

Madje, KMDLNJ-ja vlerëson se oficerët dhe stafi i kanë kushtet shumë të rënda për punë dhe se shëndeti i tyre rrezikohet seriozisht për shkak të mungesës së ajrimit, ndriçimit dhe kushteve higjienike, prandaj kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme që, sa më parë të jetë e mundur, të zhvendoset në një vendndodhje tjetër që do t’i plotësonte këto kushte, qoftë edhe ato minimalet për personat e ndaluar, oficerët dhe stafin tjetër, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.

Top Channel