Kosovë, e dërguara e kryeministrit britanik: Krijoni Gjykatën Speciale

21/07/2015 00:00

Ministrja e Shtetit, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, ka sjellë të hënën në Prishtinë mesazhin e Britanisë, që Kosova të formojë sa më parë Gjykatën Speciale për krimet e luftës.

Qëndrimin e Britanisë, përfaqësuesja speciale e kryeministrit për parandalimin e dhunës seksuale në konflikte ia paraqiti krerëve më të lartë të shtetit, me të cilët pati takime të veçanta. Ajo njoftoi se, Mbretëria e Bashkuar po mbështet me 80 mijë paund Qendrën kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës.

Baronesha Joyce Anelay tha se janë zhgënjyer me rastin e dështimit të parë për formimin e Gjykatës Speciale, por u shpreh e bindur se institucionet kosovare do të votojnë herën e dytë formimin e saj.

“Unë do të vazhdoj të diskutoj Gjykatën Speciale. E kam diskutuar këtë me ish-kryeministrin Thaçi, të cilin e kam takuar në Kroaci. Mesazhi im është shumë i qartë. Kosova ka dhënë një mesazh të qartë, e ka shfaqur vetën si shtet, i cili dëshiron të jetë aktiv në arenën ndërkombëtare, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po pret të shohë se Kosova do ta mbajtë fjalën. E për ta mbajtur fjalën, duhet të themelojë gjykatën dhe t’i tregojë botës se Kosova dëshiron të pranohet si organizatë e aftë ndërkombëtare dhe si shtet i plotfuqishëm me të drejtat e veta”, tha Joyce Anelay, ministre e Shtetit në Britaninë e Madhe.

Krerët e institucioneve kosovare u zotuan se, Kosova do ta kryejë detyrimin e saj ndërkombëtar që ka marrë, por nuk mundën ta saktësojnë kohën se kur do të arrijnë t’i sigurojnë votat e nevojshme të deputetëve.

“Pres, që institucionet e Kosovës, të gjithë qytetarët por edhe deputetet, që janë të zgjedhurit e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të gjejnë kurajon dhe guximin që këtë proces, këtë detyrim, të cilin e kemi marrë si shtet, duhet ta çojmë më tutje. Çdo shtyrje afati, çdo tejkalim afati, kurrsesi nuk do t’i kontribuojë Kosovës, nuk do të shkojë në favor të shtetit tonë dhe nuk do të shkojë në favor të proceseve, të cilat kanë qenë pozitive për Kosovën, apo kanë filluar në prizmin pozitiv për Kosovën. Çdo shtyrje, e them shumë qartë, që nuk do t’i kontribuojë proceseve për shtetin tonë”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

“Është me rëndësi themelore, që këtë proces ta çojmë përpara sa më shpejt. Interesi ynë është që ta bëjmë sa më shpejt, por natyrisht që po punohet me deputetët dhe do të shkojmë në Kuvend, në momentin kur do të sigurojmë votat, në mënyrë që kjo të jetë fitore edhe e Parlamentit, edhe e Qeverisë. Por të jetë edhe një fitore e Kosovës, sepse me këtë përmbushim një prej detyrimeve tona, jo vetëm me letërkëmbimin ndërmjet Presidentes dhe Baroneshës Ashton, por edhe të zbardhjes së drejtësisë dhe guximit tonë të brendshëm, që ne ta zbardhim drejtësinë”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Më 26 qershor, Kuvendi i Kosovës nuk arriti t’i sigurojë votat e mjaftueshme për formimin e Gjykatës Speciale. Udhëheqësit e koalicionit po përpiqen t’i bindin deputetët, që votimi të kthehet sërish në Kuvend, para se deputetët të shkojnë me pushime, nga data 1 gusht deri në shtator.

Top Channel