Ekonomia miraton pr.ligjin për lehtësimin e rimbursimit të biznesit

21/07/2015 00:00

Me propozim të dy deputetëve socialistë, Ervin Koçi dhe Erjon Braçe, komisioni parlamentar i ekonomisë miratoi një projektligj, i cili synon të lehtësojë procedurat e rimbursimit të TVSH-së për biznesin.

“Do të ngrihet një drejtori e posaçme në Drejtorinë e Përgjithshme, e cila do të ketë tagrin për të miratuar rimbursimin e TVSH-së. Pra, vendimi nuk merret më nga drejtoritë e taksave në rrethe, por qëndërezohet duke shmangur abuzimet dhe intepretimet e ligjit sipas qejfit”, deklaroi Koçi.

Rimbursimi i tatimit mbi vlerën e shtuar ka qenë një nga pengesat më të mëdha të biznesit. Edhe pse ligji është ndryshuar herë pas here, duke vendosur dhe parimin e rimbursimit automatik, sërish biznesi has vështirësi. Për këtë arsye opozita propozi një ndërhyrje radikale.

“Të heqim fare miratimin nga drejtoria tatimore dhe rimbursimi të bëhet automatikisht pas kërkesës”, propozoi deputeti demokrat Sherefedin Shehu.

Por maxhoranca tha se kjo do shkatërronte sistemin tatimor të vendit.

Thjeshtimi i procedurave për rimbursimin e TVSH është rekomanduar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ndryshimet në këtë ligj vijnë vetëm pak muaj pasi qeveria miratoi ligjin për TVSH-në.

Top Channel