Policia dhe spitali me versione të kundërta për mbytjen e 6-vjeçarit

20/07/2015 00:00

Një 6-vjeçar nga Selenica e Vlorës, humbi jetën paraditen e së shtunës në zonën e njohur si “Rrapi”, pranë Ujit të Ftohtë në Vlorë.

A.L po kalonte ditën në plazh së bashku me hallën dhe gjyshin. Ngjarja aksidentale, e para e këtij lloji gjata këtij sezoni, ka sjellë versione të kundërta të policisë dhe spitalit rajonal, rreth pranisë së autoambulancës në vendin e ngjarjes.

Burime zyrtare të policisë së Vlorës thonë se kanë qenë punonjësi e Patrullës të cilët kanë dhënë frymëmarrje artificiale 6-vjeçarit, dhe sipas tyre ka pasur shenja jete. Por një tjetër version jep drejtoresha e spitalit të Vlorës, Brunilda Mersini.

“Për ngjarjen për të cilën ju jeni të interesuar është një ngjarje që është njoftuar nga patrulla e policisë në orën 10:15 minuta nga policia në numrin e telefonit të urgjencës dhe është raportuar që është gjetur një fëmijë 50 metra larg bregut të detit, që nuk reagon dhe pa shenja jete”, thotë ajo.

Debatin mbi praninë e stafit mjekësor në autoambulancë, drejtoresha Mersini e ka konsideruar si desinformim.

“Unë them që ka një keqinformim sepse njerëzit duhet të kuptojnë që 8 ambulancat nuk mund të pajisen me mjekë. 8 ambulancat nuk mund të pajisen me 8 mjekë në të njëjtën kohë, sepse prandaj është spitali”, sqaron Mersini.

Ngjarja ku humbi jetën 6-vjeçari rikthen për të disatën herë problemin e autoambulancave në këtë qytet, ku edhe për ngjarje të tjera të rënda është pretenduar që mbërrijnë gjithmonë me vonesë.

Top Channel