Një seri të shtënash armësh zjarri janë verifikuar paraditen e kësaj të premteje në zonën e Don Boskos, në Tiranë.
Nga informacionet e fundit rezulton se nga të shtënat një grua ka mbetur e plagosur. Ndërkohë, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po kryen hetime për zbardhjen e rrethanave.
Ndërkohë, gruaja e plagosur, identiteti i të cilës nuk dihet ende, është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ajo është identifikuar si Rezarta Lakrori, e moshës 30 vjeç dhe banore e zonës.
Nga hetimet paraprake policia dyshon se autorët e plagosjes mund të kenë ngatërruar objektiv.
Ndërsa disa dëshmitarë kanë deklaruar se, pasi kanë hapur zjarr, autorët janë larguar duke u futur mes pallateve.
Versioni zyrtar i policisë mbi ngjarjen
Ndërkohë, Drejtoria e Policisë së Tiranës ka dalë me versionin zyrtar mbi ngjarjen, përmes një komunikate për shtyp ku thuhet:
“Më datë 17.07.2015, në rrugën “Muzakët”, në verandën e një lokali ka ndodhur një plagosje me armë zjarri. Për pasojë ka mbetur e plagosur në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën shtetasja R.L, 29. Ajo ishte në lokal kur ka ndodhur ngjarja.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë shumë shërbime policore. Policia bëri sekuestrimin e pamjeve filmike në lokal dhe po merr në pyetje disa dëshmitarë. Grupi hetimor në vendngjarje ka sekuestruar disa gëzhoja, ndërsa janë ngritur pika kontrolli dhe po punohet për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Nuk dihet ende nëse gëzhojat e sekuestruara në vendngjarje kanë dalë nga një armë apo ka pasur shkëmbim zjarri. Gjithçka është informacion paraprak dhe rrethanat e ngjarjes se ndodhur janë ende të paqarta. Policia po punon për zbardhjen e tyre”.
Top Channel